Zhurnal mëson/BDI ishte afër kthimit në pushtet me ndihmën e ndërkombëtarëve, por propozimi për “rajonet” i betonoi në opozitë!

nga I Z

Shkup, 23 korrik – Faktori ndërkombëtar në Shkup ka bë përpjekje për kthimin e BDI-së në Qeverinë e re, në funksion të ndërtimit të një shumice më stabile e cila do të zbatonte më lehtë reformat ekonomike dhe reformat në fushat tjerë të nevojshme për anëtarësim në BE. Sipas informacionit, që për Agjencinë e Lajmeve  Zhurnal e kanë konfirmuar dy burime të larta diplomatike në Shkup por që kërkojnë të mbeten anonime, BDI-së i janë afruar tre poste ministrore që t’i bashkangjitet qeverisë së udhëhequr nga koalicioni VMRO-DPMNE-VLEN dhe disa pozita në eshalonin e dytë dhe të tretë. Ideja ka qenë e përfaqësueve ndërkombëtarë dhe ia kanë shpalosur fillimisht BDI-së, pasi kanë qenë të bindur se nëse e pranon BDI, ajo do të pranohej edhe nga VMRO-DPMNE dhe VLEN.

Edhe pse bëhet fjalë për dy ministri pa resor dhe një me resor, ideja për t’u bë pjesë e pushtetit ka marë përkrahje tek një pjesë e konsiderueshme e “integristëve”, që kanë propozuar oferta të shqyrtohet në organet partiake, para se të pranohet ose refuzohet zyrtarisht. Mirëpo pas daljes në shesh të idesë për “rajone” , diplomatët janë tërhequr nga ky ndërmjetësim ende pa e dërguar zyrtarisht te VMRO-DPMNE dhe VLEN, me çka është betonuar edhe më tepër pozita e BDI-së si faktor i rëndësishëm në opozitë. Kjo ka shkaktuar pakënaqësi tek një pjesë e anëtarësisë, mirëpo nuk priten përçarje më të thella në strukturë.

Çka parashohin modelet e Belgjikës dhe Irlandës së Veriut?

Territori i Belgjikës është i ndarë në tre rajone, nga të cilët dy, rajoni flaman dhe rajoni valon, janë të ndarë në provinca sipas gjuhëve. Rajoni i tretë është Bruksel-Kryeqyteti, i cili nuk është as provincë dhe as pjesë e një province. Irlanda e Veriut është ndryshe. Ligji për Qeverinë e Irlandës i miratuar në vitin 1920 parashikon dy njësi të pjesshme të vetëqeverisjes në Irlandë, pjesën jugore dhe atë veriore. Pjesa veriore ka 6 rajone.

Ato nuk përdoren më për qëllime të qeverisjes lokale. Në vend të tyre, ka njëmbëdhjetë qarqe në Irlandën e Veriut, të krijuara në vitin 2015, duke zëvendësuar njëzet e gjashtë rajonet që ekzistonin më parë. Për modelin irlandez dhe belg për ndarjen në territore të Maqedonisë së Veriut, Blerim Bexheti nga BDI ka aluduar se mund të realizohet ashtu sikurse u realizua kryeministri i parë shqiptar.

“Opinioni ka pasur dyshime, ideja e një kryeministri shqiptar a mund të bëhet a do të bëhet, u çua peshë i gjithë opinioni, mos është një premtim i parealizueshëm por është bë. A do të bëhet gjuha shqipe zyrtarë siç e sheh Marrëveshja e Ohrit, është bë.. Zotëri Ahmeti është në kontakt mënjë ndër hartuesin e Marrëveshjes së Ohrit”, tha Blerim Bexheti në Daily Click, dukes shtuar se nuk sheh diçka të rrezikshme në idenë për aprovim të modelit belg ose irlandez në ndarje të rajoneve në Maqedoninë e Veriut.

“Unë e konsideroj shumë demokratike, shumë fisnike. Jo unë personalisht, por gjithë grupi parlamentar, gjithë Fronti Europian, që të rregullohet kjo çështje, që edhe shqiptarët të jenë zot në shtëpinë e vetë, ashtu siç është e paraparë me Marrëveshjen e Ohrit”, tha mes tjerash Bexheti. Bexheti thotë se me angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë, BDI po kërkon zgjidhje për çështjen e legjitimitetit. “Qenka e rrezikshme të kërkohet të mbrohet vota e përfaqësuesit, gjegjësisht aty ku e merr legjitimitetin?”, pyeti Bexheti, duke dhënë vetë përgjigjen: “Është shumë demokratike. Me të gjitha standardet demokratike është në nivelin e duhur, pasi që kërkon një rregullim të ri. Fundja e fundit, edhe të kërkosh rregullim të ri kushtetues, nuk është diçka e rrezikshme”.

VLEN e konsideron ide të vonuar, VMRO-DPMNE tentim për të mbrojtur krimin

Mirëpo ideja e BDI-së ka hasur në kundërshtim të ashpër nga ana e pushtetit, kurse vetë kryeministri Hristijan Mickoski e vlerësoi si tentim “për të mbrojtur krimin”. “Ajo që ata tani po përpiqen të paraqesin në publik është përsëri një politikë e dezintegrimit, prishjes së karakterit unitar. Unë mendova se ata do të nxjerrin mësim dhe do të kërkojnë falje për qendrën tregtare në qendër të Shkupit, për makinat ‘Maybach’ dhe ‘Rolls Royce’, për ato kompani të shpejta që importojnë miliona, tenderat, për gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Vetëm kështu mund t’i kuptojmë seriozisht. Gjithçka tjetër, më falni, e kuptoj si një përpjekje për të mbrojtur krimin. Dhe për sa kohë që veprojnë kështu, nuk do të marrin seriozitet askund,” tha kryeministri Hristijan Mickoski për këtë temë.

Kryetari i ASH-së, pjesë e VLEN, Arben Taravari duke komentuaridenë e BDI-së për rregullimin e Maqedoninë e Veriut sipas modelit të Belgjikës dhe i Irlandës së Veriut, tha se krijon huti dhe skepticizëm.

“BDI 22 vjet ka qenë në pushtet, në qeveri, asgjë prej kësaj që e thotë sot nuk e ka implementuar, as që i ka ra në mend. Tash që janë në opozitë për dy muaj, veç u kujtohen ide të ndryshme. Unë nuk jam kundër ideve, idetë janë të mira por 22 vjet duke qenë në pushtet nuk e ke menduar aspak decentralizimin që është pjesë e Marrëveshjes së Ohrit, mos të flasim tash për rajonalizimin. Ne e kemi dhënë moti idetë për funksionimin më të mirë të shtetit në kuptim të decentralizimit fiskal dhe përsëri e kemi në program, këto tash kur janë në opozitë ju kujtohen ide që janë rëndë të realizueshme. Dëshiroj që të jenë opozitë sa më konstruktive dhe të japin ide që janë të implementueshme e jo ide të cilat krijojnë huti dhe skepticizëm”, deklaroi Tarvari.

Në të njëjtën linjë ka reaguar edhe kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami i cili tha se tha se BDI këto tema është dashur t’i hap kur ka qenë pjesë e pushtetit, e jo tani që është në opozitë. “Është ironi në vete – BDI 20 vite ishte në pushtet dhe lëre që nuk foli për rajonizim, por nuk bëri as hapin më të vogël për decentralizim. E dimë që me Marrëveshjen e Ohrit, atë për të cilin po krekoset vazhdimisht BDI, ka qenë kompromisi që të ruhet koncepti unitar i shtetit, por të vazhdojë procesi i decentralizimit. BDI nuk bëri lëvizjen më të vogël të thellimit të procesit të decentralizimit, kjo tregon se ata kanë humbur rrugën në oborr ashtu sikur ishin në Qeveri, ata mendonin si të fitojnë më shumë para për vete dhe familjarët e tyre, ndërsa sot ato para po i harxhojnë me ekspertë të shtrenjtë vetëm për të bërë PR. RMV do të vazhdojë të ndërtohet si shtet i barabartë i të gjithë qytetarëve.

VLEN garanton se institucion do të jenë në shërbim të qytetarëve. Sa i përket organizimit të shtetit janë tema që BDI është dashur t’i bëjë kur ka qenë në pushtet, e jo sot. Por kjo tregon se ato janë në pozitë të rëndë në opozitë, nuk janë mësuar dhe nuk e dinë si të sillen”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes BESA.

Kurse kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi ka komentuar angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë nga BDI, për zgjidhjen e “çështjes së legjitimitetit dhe Marrëveshjes së Ohrit”.

Ibrahimi thumbon BDI, duke i porositur se do të duhet të angazhojë edhe ekspertë për luftë kundër korrupsionit. “Mbasi ia kanë filluar të angazhojmë ekspertë të legjitimitetit dhe Marrëveshjes së Ohrit, mirë do ishte të angazhojnë edhe ndonjë ekspert për luftën kundër korrupsionit. Vetëm një kombinim i tillë ekspertësh do ta shpjegonte se pse Marrëveshja e Ohrit po u kujtohet vetëm tani në opozitë dhe, e dyta, ekspertiza e tillë do të shpjegonte se pse gjatë 22 vjetëve pushtet nuk e normëzuan me asgjë legjitimitetin, ndërkohë që e normalizuan dhe familjarizuan korrupsionin”, ka shkruar Ibrahimi. /Zhurnal

 

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More