Shkup, 1 shtator, zhurnal.mk – Pas zgjedhjes së krerëve të dikastereve të ekzekutivit, radhën e ka zgjedhja e zëvendësministrave. Kryeministri Zaev dje paralajmëroi se kjo procedurë do të zhvillohet nga java e ardhshme.
Burime të Agjencisë së Lajmeve Zhurnal pranë BDI-së thonë se ende nuk kanë filluar bisedimet në parti lidhur me propozimet për zv/ministra, por as edhe për drejtorët.
Nga kjo parti sipas burimeve në fjalë, së pari do të bisedohet me kryetarët e degëve e më pastaj do të propozohen emrat për zv/ministra, por e gjithë kjo do të ndodhë pasi kryetari i partisë Ali Ahmeti do të kthehet nga Haga ku ka qenë i ftuar si dëshmitarë për të dëshmuar për luftën në Kosovë.
“Ende nuk kanë filluar bisedimet në parti për këto poste. Njëherit do të bisedohet me kryetarët e degëve e më pas do të propozohen emra. Por kjo me siguri do të ndodhë pasi kryetari të kthehet nga Haga”, thonë burime pranë BDI-së për Zhurnal.
Ndryshe, pas zgjedhjes së zëvendësministrave, radhën e ka eshaloni i tretë, dhe ndryshimi i drejtuesve në disa institucione.