Ziberi: Risocializimi dhe sistemi arsimor për të miturit e akomoduar në SHEP Tetovë është problemi më i madh

Shkup, 24 korrik – Avokati i Popullit Naser Ziberi në intervistë për MIA-n shprehet se problemi më i madh është risocializimi dhe sistemi arsimor për të miturit të vendosur në SHEP Tetovë. Sipas tij, zgjidhja e pjesshme e këtij problemi ose siç thotë populli, arsimim sa për sy e faqe, aq sa të thuhet se “fëmijët po ndjekin mësimin”, sipas tij, nuk është zgjidhje.

 

“Është shkatërruese e dhëna se pothuajse një numër të madh të tyre pas disa vitesh ne si institucion i takojmë nëpër burgje. “Ky është një dështim i madh për ne si shtet për arsye se shtëpia nuk e kryen funksionin për të cilin është themeluar, të ndikojë në mënyrë edukative, por edhe përmirësuese te fëmijët”, Ziberi.

Ai në intervistë përkujtoi se disa javë më parë në prezantimin e Raportit Vjetor të mekanizmit kombëtar parandalues drejtoi kritika në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë për gjendjen me mbrojtjen shëndetësore në burgjet, dhe brenda vetëm disa orëve pati reagim nga ministri, i cili sqaroi se ku qëndron problemi dhe se planifikon nga shtatori të merret seriozisht me zgjidhjen e tij.

“Ky hap është për t’u përshëndetur dhe shembull i mirë që duhet të ndiqet nga bartësit tjerë të posteve publike. Ne, si institucion, sigurisht që do të vazhdojmë të ndjekim nëse vërtet do të ketë përmirësime në këtë fushë”, theksoi avokati i popullit në intervistë për MIA.

Disa muaj më parë, kur morët detyrën e avokatit të popullit, deklaruat se do të angazhoheni për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e qytetarëve, dhe se nuk do të ketë amnisti ndaj asnjë udhëheqësi organi administrativ ose bartësi të funksionit publik. Si i shikoni gjërat tani nga kjo perspektivë, pasi që jeni përfshirë në punën. A do ta arrini këtë qëllim?

– Funksioni nuk duhet të kuptohet vetëm si privilegj, por edhe si përgjegjësi. Nuk ka dhe nuk guxon të ketë post pa përgjegjësi dhe në këtë drejtim ishte deklarata ime se nuk do të ketë amnisti, më saktësisht kursim për asnjë udhëheqës, bartës i funksionit publik, për arsye se veçanërisht ata duhet të jenë shembull i punës ligjore.

Kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj nga zgjedhja ime avokat i popullit dhe unë ngadalë po futem në postin tim. E them këtë meqë edhe vetë ndjej përgjegjësi në ushtrimin e tij, edhe atë të madhe për arsye se unë dhe të punësuarit e mi çdo ditë zgjidhim fatet njerëzore, i bindim udhëheqësit dhe bartësit e posteve publike se duke mos vepruar ndaj kërkesave të qytetarëve, refuzimin e pabazuar të tyre, moslëshimin e dokumenteve përkatëse dhe raportin jokorrekt i shkelin të drejtat e tyre. Shikoj që ka udhëheqës dhe funksionarë që i pranojnë udhëzimet tona dhe veprojnë sipas tyre menjëherë, por ka edhe të tillë që sillen sikur nuk e kanë lexuar Ligjin për Avokatin e Popullit dhe nuk i dinë kompetencat e tij, diçka që mendoj se është krejtsisht e palejueshme. Ligji ynë ofron më shumë mundësi që të gjitha rastet e tilla të azhurnohen / publikohen, përmes publikut, por edhe duke organizuar debate në parlament, ku këta drejtues / zyrtarë do të duhet t’i shpjegojnë të gjithë publikut pse nuk veprojnë sipas kërkesave dhe nuk bëjnë rekomandimet e avokatit të popullit. Kjo është kompetencë relativisht e re, dhe unë seriozisht mendojn për zbatimin e saj. Me këtë rast, do të doja të sqaroja se një instrument i këtillë funksionon edhe në shtetet tjera. Para do kohë realizova takim me kolegun tim nga Turqia, z. Mallkoç, i cili tha se ai shpesh i shfrytëzon këto debate në parlament dhe se ato japin rezultate.

Më pyetni nëse do ta arrij qëllimin. Nëse nuk do të mendoja kështu, nuk do t’i rrekesha ushtrimit të këtij posti. Kam përvojë të mjaftueshme për të thënë se kur një person do të vendos qëllim para vetes, duhet të angazhohet që ta arrijë atë dhe se nuk duhet të heqë dorë në pengesën e parë. Posti i avokatit të popullit është një post që e shtyn njeriun të jetë këmbëngulës, i qëndrueshëm, për arsye se ai nuk ka mekanizëm detyrimit dhe e gjithë aftësia është në bindjen, në fuqinë e argumenteve të paraqitura në rekomandime, udhëzime.

Ja, për shembull, disa javë më parë kur e prezantova Raportin vjetor të Mekanizmit parandalues kombëtar dhe drejtova kritika në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë për gjendjen e kujdesit shëndetësor në burgje, brenda disa orësh patëm reagim nga ministri, i cili sqaroi se ku qëndron problemi dhe se planifikon nga shtatori të merret seriozisht me zgjidhjen e tij. Ky hap është për t’u përshëndetur dhe shembull i mirë që duhet të ndiqet nga bartësit tjerë të posteve publike. Ne, si institucion, sigurisht që do të vazhdojmë të ndjekim nëse vërtet do të ketë përmirësime në këtë fushë.

Para do kohë, rasti me Toni Sali, i cili, për fat të keq, vdiq, nxori në sipërfaqe problemin që organet kompetente shtetërore e vënë “nën qilim” për shumë vite, e ky është regjistrimi i personave në Librin e të lindurve. Çfarë do të ndërmerrni kundër sjelljeve të këtilla burokratike, joprofesionale dhe johumane të institucioneve kompetente?

– Rasti me maturantin Toni Sali, sipas asaj që më kanë treguar kur u zgjodha në postin e avokatit të popullit, institucioni ka punuar për dy vjet tashmë dhe ka shteruar të gjitha mundësitë që i jep Ligji për avokatin e popullit. Më vjen keq që pjesa më e madhe e opinionit interesohet për problemin pas vdekjes së djalit, që nuk priti të bëhej i dukshëm për shtetin dhe të vazhdonte arsimin e tij sipas dëshirës së tij. Ky rast me gjithë tragjedinë dhe absurditetin e tij duhet dhe doemos të jetë shembull për të gjithë ne se si në të ardhmen institucionet nuk duhet të sillen me kërkesat individuale të qytetarëve dhe me rekomandimet e avokatit të popullit. Jam i bindur se mund të arrihej një mënyrë që djali të marrë certifikatë nga libri amë i të lindurve dhe se kompetentët nuk i kanë kushtuar vëmendje të mjaftueshme zgjidhjes së problemit. Sigurisht, për këtë rast nevojitet hetim rrënjësor në mënyrë që të përcaktohet përgjegjësia eventuale nëse dikush me qëllim ka parandaluar realizimin e së drejtës së fëmijës.

Ne, si institucion, tashmë u kemi dorëzuar shkresë organeve kompetente në të cilën kemi dhënë konstatimet tona për dobësitë e detektuara, si në rregullativë ashtu edhe në zbatimin praktik të saj, në mënyrë që të mos përsëriten më raste të këtilla.

Qytetarët, para do kohë u përballën me problem për shkak të ndërprerjes së lëshimit të letërnjoftimeve, pasaportave, patentëve të shoferit… nga Ministria e Brendshme. Paralajmëruar se do të hetonit lëshimet eventuale në punën e shërbimeve kompetente në MPB, që do të ishin arsyeja për ndërprerjen në lëshimin e dokumenteve për qytetarët. A ka momente të reja në këtë drejtim?

– Si avokat i popullit, është e pakuptueshme për mua se si i gjithë sistemi nuk mund të përgjigjet me kohë ndaj nevojave të qytetarëve, të cilët tani janë vënë në situatë të mos mund të udhëtojnë, të përdorin automjetet e tyre, po madje edhe t’u rrezikohet ekzistenca, meqë nga bankat nuk mund të marrin pagat, pensionet dhe të ardhurat tjera në para. Nuk ka justifikim për këtë lëshim (siç qëndron në përgjigjen e Ministrisë së Brendshme) se në përputhje me ndryshimet kushtetuese të miratuara dy vjet më parë, ka pasur nevojë për të ndryshuar sistemin. Nëse ky është problemi i vërtetë, atëherë shtrohet pyetja: kush ka dështuar në këtë rast, nëse dihej që dy vjet më parë se në këtë periudhë duhet të funksionojë sistem i ri i lëshimit të dokumenteve personale?

Në fillim të kësaj interviste folëm për përgjegjësinë, bartjen e së cilë e konsideroj si të virtytshme, e jo akt të disfatës.

Si institucion, pothuajse në çdo raport vjetor alarmoni për imazhin e keq në burgje, për stërngarkimin e tyre, por edhe për përcaktimin e shpeshtë të masës së paraburgimit. A keni problem në bashkëpunimin me institucionet?

– Sistemin e burgjeve , ne si institucion, e monitorojmë nga dy aspekte, në mënyrë parandaluese përmes Mekanizmit kombëtar të parandalimit dhe përmes mbrojtjes, duke vepruar ndaj parashtresave individuale, por edhe përmes hapjes së lëndëve me iniciativë personale, kur konsiderojmë se ka nevojë për këtë. Gjatë viteve, është shkruar shumë për problemet në çdo aspekt. Situata këtu është përmirësuar pak në raport me kapacitetet e akomodimit (nuk ka më stërngarkim në burgje pas amnistisë së dhënë disa vjet më parë), por mbeten problemet me segmentet e mbrojtjes shëndetësore, risocializimit dhe procesit arsimor, në të cilat ende duhet të të punohet.

Kur flasim për burgjet, flasim për persona, liria e lëvizjes e të cilëve është e kufizuar dhe ata nuk janë në gjendje, si ne të tjerët, kur kanë nevojë për ndihmë mjekësore, ta siguruar atë menjëherë. Është e papranueshme që shteti të dënojë dikë dy herë për veprëne kryer, një herë duke e vendosur në burg, e herën e dytë duke ua shkurtuar të drejtën që ligji ua garanton në mënyrë të pakontestueshme – qasjen deri te mbrojtja shëndetësore.

Problem i madh është risocializimi ose aftësimi i të burgosurve, pas vuajtjes së dënimet me burg të gjejnë punë dhe të përfshihen në rrjedhat normale të shoqërisë. Konsideroj se mungesa e tij është një nga arsyet kryesore pse shumica e tyre janë të kthyer në burgje.

Por, megjithatë, për mua problemi më i madh është risocializimi dhe sistemi arsimor për të miturit të vendosur në SHEP Tetovë. Zgjidhja e pjesshme e këtij problemi ose siç thotë populli, arsimim sa për sy e faqe, aq sa të thuhet se “fëmijët po ndjekin mësimin” nuk është zgjidhje. Është shkatërruse e dhëna se pothuajse një numër të madh të tyre pas disa vitesh ne si institucion i takojmë nëpër burgje. Ky është një dështim i madh për ne si shtet për arsye se shtëpia nuk e kryen funksionin për të cilin është themeluar, të ndikojë në mënyrë edukative, por edhe përmirësuese te fëmijët.

Sa i përket bashkëpunimit me drejtoritë e burgjeve, ende ka dukuri që udhëheqës të caktuar të mos i dinë rolin, rëndësinë dhe kompetencën e institucionit Avokat i popullit në segmentin që do të thotë parandalim dhe mbrojtje të të drejtave të personave, të cilëve u është kufizuar liria e lëvizjes. Kjo vetëm e konfirmon konstatimin tonë se duhet të punojmë vazhdimisht në edukim, si të punësuarve në institucionet e burgut ashtu edhe të personave që i udhëheqin ato.

A jeni i kënaqur si avokat i popullit me shtrirjen e institucionit nga aspekti i pavarësisë së tij në çfarëdo, por para së gjithash nga aspekti financiar. A merrni fonde të mjaftueshme nga buxheti për funksionimin e papenguar dhe ushtrimin e funksionit, e ky është promovim dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut?

– Nëse lexoni Ligjin për avokatin e popullit, do të keni përshtypjen se institucioni ka shumë kompetenca, gjë që nuk është e kontestueshme, se është vendosur mirë në drejtim të monitorimit të punës së institucioneve (si trup rregullator) dhe se për shkak të këtyre arsyeve nuk do të duhej të vihet në pikëpyetje pavarësia e saj edhe në aspektin e financimit. Por në praktikë nuk është kështu. Avokati i Popullit është ende pjesë e administratës publike, që do të thotë se për çështje të caktuara varet nga ata mbi të cilët ai ka autoritetin të veprojë. Këtu para së gjithash mendoj në Ministrinë e Financave, nga e cila duhet doemos të kërkojmë pëlqimin për punësime të reja, për të plotësuar vendet tashmë të zbarazëta të punës, edhe pse tashmë i kemi paratë në buxhetin. Ne e kemi diskutuar këtë edhe brenda institucionit, por edhe në nivel më të lartë, dhe konkluzioni është se ligji duhet të pësojë ndryshime serioze, më saktësisht të miratohet ligj i ri që do të garantojë pavarësinë e përgjithshme të institucionit. Në këtë segment bën pjesë edhe çështja e statusit material të të punësuarve në shërbimin profesional, që momentalisht nuk është as afër statusit material të organeve të tjera rregullatore në shtet, e madje edhe më i ulët se administrata e përgjithshme publike, që në praktikë duhet ta kontrollojë atë.

Prioritetet e institucionit mund të përcaktohen vetëm nga avokati i popullit dhe si rrjedhojë të krijojë politikë adekuate kadrovike në kuadër të buxhetit të aprovuar. Pasojat e zgjidhjes ekzistuese mund t’i ilustroj me rrethanën që në departamentin që duhet të punojë në promovimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, për vite me rradhë nuk ka asnjë të punësuar të vetëm. Krahas kësaj, për shkak të largimit të natyrshëm të të punësuarve (dalja në pension, largimi nga institucioni) vendet mbetnin të paplotësuara. Kjo situatë sigurisht nuk do të ndodhë nëse avokati i popullit vendos për këto çështje në mënyrë të mëvetësishme.

Çfarë mendoni a është institucioni i përfshirë mjaftueshëm në proceset reformuese në shtet. Është paralajmëruar reformë e madhe në sistemin arsimor, e ju si institucion ishit më të zëshëm në miratimin e ligjeve të reja në këtë fushë. Çështja gjithashtu ka të bëjë edhe me pjesët tjera të jetesës shoqërore, e që hyjnë drejtpërdrejt në realizimin e të drejtave të qytetarëve, para së gjithash të ashtuquajturave kategori të rrezikuara?

– Të gjitha zgjidhjet e këqija ligjore, zgjidhjet në të cilat ka parregullsi, boshllëqe ligjore, të cilat janë miratuar pa analizë përkatëse dhe debat publik reflektohen në punën e avokatit të popullit për arsye se qytetarët pasi të lodhen duke u bindur me institucionet se disa nga të drejtat e tyre u janë shkelur, drejtohen tek ne. Më lart folëm për rastin e maturantit, i cili për shkak të burokracisë dhe paqartësive mbeti i padukshëm për shtetin. Personalisht, konsderoj se institucioni i avokatit të popullit duhet të jetë i konsultuar/përfshirë në të gjitha reformat më të mëdha ashtu edhe gjatë miratimit të ligjeve, sepse ne përmes punës sonë i zbulojmë saktësisht dobësitë ligjore, më saktësisht e dimë se cila dispozitë ligjore i shkakton telashe qytetarit. Është e pakontestueshme e drejta e ministrive për të formuluar politikat e tyre dhe për të zbatuar reformat, por çdo përvojë është e mirëpritur në mënyrë që të bëhen zgjidhje sa më të suksesshme dhe të zbatueshme ligjore.

Ne si institucion shpesh japim mendime për zgjidhje të caktuara ligjore dhe parashtrojmë iniciativa për ndryshime ligjore deri te propozuesit e autorizuar. Tani, sa i respektojnë dhe veprojnë sipas tyre është një pyetje tjetër që meriton analizë. Mendoj se pas 23 viteve të ekzistencës së institucionit, është e nevojshme një analizë e këtillë, që do të japë pasqyrë të asaj se sa institucionet

bashkëpunojnë me avokatin e popullit, dhe nëse dhe çfarë ndryshimesh nevojiten për të përmirësuar atë bashkëpunim.

Related posts

Zaev me mesazh për olimpistët: Në arenat sportive të gjithë janë me mundësi të barabarta për ta arritur më të mirën

R Zh

Lehtësohet ndalesa për lëvizje në pyje, vetëm me leje të marrë paraprakisht

Z H

Për momentin nuk planifikohet kërkimi i testeve PCR negativ për nxënësit në shkollë

Redaksia

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com