Kina do të vazhdojë hapjen drejt një niveli më të lartë. Vendi mirëpret kompanitë shumëkombëshe për të zgjeruar investimet e tyre në Kinë, për të thelluar përfitimet reciproke dhe rezultatet me leverdi të ndërsjella, tha të dielën zv/Kryeministri i Kinës He Lifeng.
He, i bëri komentet në një takim në Pekin me drejtues të kompanive kryesore shumëkombëshe, teksa shkëmbyen mendime mbi ekonominë globale dhe kineze, bashkëpunimin tregtar Kinë-ShBA dhe zgjerimin e investimeve në vend.
Duke vënë në dukje se ekonomia e Kinës ka elasticitet të fortë, potencial të madh dhe vitalitet të bollshëm, ai tha se vendi është i përkushtuar të promovojë zhvillimin me cilësi të lartë, të zgjerojë hapjen me standarde të larta dhe të përmirësojë vazhdimisht mjedisin e biznesit, ndërsa mirëpret rritjen e investimeve nga kompanitë shumëkombëshe në Kinë, për të ndarë mundësitë e zhvillimit të vendit.
Drejtuesit e kompanive shumëkombëshe të pranishëm në takim, thanë se i kushtojnë rëndësi tregut kinez dhe janë optimistë për perspektivat ekonomike të vendit. Gjithashtu shprehën gatishmërinë e tyre për t’u angazhuar për bashkëpunime afatgjata me Kinën.
Të pranishëm në takim ishin drejtues biznesi, duke përfshirë Tim Cook – Drejtor i Përgjithshëm i Apple, Albert Bourla – Kryetar dhe Drejtori i Përgjithshëm i Pfizer Bruce Flatt – Kryetar dhe CEO i Brookfield Asset Management, Geoff Martha -Drejtor i Përgjithshëm i Medtronic, Michael Miebach – Drejtor i Përgjithshëm i Mastercard, David A. Ricks – Kryetar dhe Drejtor Ekzekutiv i Eli Lilly, Brian Sikes – President dhe CEO i Cargill dhe Wendell P. Weeks – Drejtor i Përgjithshëm i Corning Incorporated.