Agjencia Zhurnal.mk
Maqedoni

Zyrtarët nuk i japin llogari Kuvendit

Shkup, 1 shkurt – Drejtuesit e shumë agjencive të pavarura dhe institucioneve shtetërore, po neglizhojnë llogaridhënien para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, edhe pse për një gjë të tillë janë të obliguar me ligj. Kreu i kuvendit, Talat Xhaferi ka paralajmëruar institucionet se zyrtarët e zgjedhur nga institucioni që ai udhëheqë, mund të shkarkohen për shkak të kësaj neglizhence.

Ky paralajmërim i Xhaferit vjen në kohën kur në javën e ardhshme pritet që miratojnë programin e punës dhe raportet vjetore financiare për punën e Agjencisë së mbikëqyrjes së sigurive, Agjencisë së postave, asaj për mediume audio-vizuele, Agjencisë për komunikime elektronike, Agjencisë për fluturime civile, etj.

Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci, që ka vëzhguar punën e kuvendit, thotë për Radion Evropa e Lirë se mbikëqyrja efikase e agjencive të pavarura nga kuvendi është shumë e rëndësishme, pasi sipas tij, vendimet që marrin këto institucione, ndikojnë direkt në mirëqenien e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

Troshanovski thotë se organizata ku ai punon, ka rekomanduar krijimin e mekanizmave juridikë, përmes së cilëve do të mund të shkarkoheshin drejtuesit e institucioneve që neglizhojnë llogaridhënien para kuvendit dhe jo të dorëzojë raporte, që sipas tij, zakonisht miratohen pa u zhvilluar debate në kuvend.

“Ne disa herë kemi kërkuar që në Rregulloren e punës së parlamentit të inkorporohen formulime të caktuara në bazë të të cilave do të sanksionoheshin institucionet e caktuara, drejtuesit e të cilëve nuk marrin pjesë në debatet që kanë të bëjnë me mbikëqyrjen e punës së tyre, duke i shkarkuar mbase pas refuzimit të thirrjes së dytë apo të tretë. Madje propozuam që të shqyrtohet si mundësi edhe sanksionimi i vetë institucioneve, duke mos u dhënë parlamenti vizë raporteve për funksionimin e tyre, por duket qartazi se për një gjë të këtillë ende nuk ka vullnet politik”, thotë ai.

Troshanovski shton zgjedhja e deputetëve me lista të mbyllura ka bërë që deputetët të mbrojnë politikat e krerëve të partisë dhe drejtuesve të afërt me politikën më shumë sesa që të përdorin pushtetin që u jep mandati për të kontrolluar institucionet, të cilat janë në shërbim të qytetarëve.

“Nëse do të kishim lista të hapura dhe deputetët të zgjidheshin drejtpërdrejt nga qytetarët, sigurisht në atë rast edhe deputetët do të kërkonin llogari nga drejtuesit e institucioneve, përkatësisht sa ata janë në shërbim të qytetarëve dhe si i shpenzojnë mjetet e arkës së shtetit. Prej diku duhet filluar, mbase me zgjedhjen e një pjese të deputetëve përmes listave të hapura”, thekson Troshanovski.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Xhelal Neziri thotë për Radion Evropa e Lirë se mungesa e drejtuesve të institucioneve që i zgjedh parlamenti, është tregues që roli i parlamentit nuk është në nivelin e duhur.

“Parlamenti nuk e tregon atë fuqinë të cilën e ka të garantuar në rastin kur një funksionar i caktuar nuk raporton para parlamentit mund të inciohet procedurë për shkarkimin e të njëjtit. Ajo që realisht paraqitet si pengesë është afërsia e zyrtarëve të caktuar të shtetit, me krerët e partive në pushtet”, thotë Neziri.

Ai shton se parlamenti duhet të jetë më proaktiv në rolin mbikëqyrës të institucioneve, pasi sipas tij, kontrolli parlamentar është shumë i rëndësishëm për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.

“Në këtë rast duhet të vijë në shprehje vetë integriteti i deputetëve integriteti i institucionit të parlamentit, me qëllim që të tregojë se është pushteti kryesor në vend, pushteti nga i cili dalin dhe burojnë të gjitha pushtet e tjera. Pozicionimi i këtij institucioni duhet të jetë më proaktiv dhe i drejtpërdrejtë me njerëzit, përkatësisht funksionarët që nuk e respektojnë këtë institucion”, thekson ai.

Shoqëria civile ka theksuar se ligjet nuk janë të qarta sa i përket raporteve që dërgojnë agjencitë e pavarura në kuvend, prandaj, sipas shoqërisë civile, mbikëqyrja efektive ndaj këtyre institucioneve mund të bëhet vetëm pasi të precizohen kompetencat ligjore të parlamentit, veçanërisht sa i përket llogaridhënies.

Ndryshe Ligji për shërbimin e lartë udhëheqës, i cili duhet të ndryshojë formën e zgjedhjes së drejtuesve të institucioneve, ende nuk ka arritur të miratohet në parlament, ndonëse një vit më parë ishin paralajmëruar këto ndryshime.

Në bazë të këtij ligji, zgjedhja e udhëheqësve të institucioneve parashihet të bëhet në mënyrë transparente, pasi, siç theksohet në arsyetimin e nevojës për miratimin e ligjit në fjalë, profesionalizmi i shërbimit të lartë udhëheqës është një nga kushtet kyçe për avancimin e kapaciteteve organizative dhe përforcimin e udhëheqjes së mirë në institucionet e sektorit publik si një nga kriteret kryesore për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. (REL)

Postime të ngjashme

Zaev përkujton viktimat dhe uron kryengritjen e Ilindenit

Z H

Tërmet në Kosovë, ndjehet në RMV dhe Sërbi

D V

Moti përvëlues “ngulfat” vendin, 80-100 intervenime të Ndihmës së Shpejtë

D V

Monitorim ndërkombëtar i proceseve gjyqësore

D V

Arkitekti z. Dashmir Arifi kandidat i PDSH-së për kreun e Komunës së Bogovinës

D V

Maqedonia e Veriut përballe me mungesën e punëtorëve

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...