Marcus Rashford shkëlqeu gjatë huazimit te Aston Villa, por tashmë është rikthyer te Manchester United. ‘Djajtë e Kuq’ po shqyrtojnë mundësinë e një largimi të përhershëm për sulmuesin anglez, i cili ka zgjuar interesimin e klubeve të mëdha evropiane.
27-vjeçari nuk ka arritur të rikthejë formën e tij më të mirë te United që nga sezoni i shkëlqyer 2022/23. Në mungesë të vazhdimësisë dhe hapësirës, ai u huazua në janar te Aston Villa, ku la përshtypje pozitive nën drejtimin e Unai Emery.
Te Villa, Rashford rifitoi vetëbesimin dhe ndihmoi skuadrën me paraqitje solide. Megjithatë, pas përfundimit të huazimit, kthimi i tij në ‘Old Trafford’ nuk ka sjellë një rol të garantuar në formacionin e parë.
Në këtë situatë, Barcelona po monitoron nga afër situatën e tij. Klubi katalanas e sheh Rashfordin si një përforcim të mundshëm për repartin ofensiv nëse krijohen kushtet për një marrëveshje të favorshme.
Por konkurrenca është e fortë. Sipas ‘Bild’, edhe Bayern Munich është futur në garë për nënshkrimin e Rashford. Gjigantët gjermanë kërkojnë një sulmues të krahut të majtë dhe anglezi është një nga alternativat kryesore në listën e tyre.
Rashford vlerësohet për shpërthimin, teknikën dhe fleksibilitetin në sulm. Bayern beson se mund ta marrë për një çmim rreth 46.5 milionë euro, duke tentuar të sigurojë një avantazh në garën për të.
Për Rashford, kjo verë mund të jetë përcaktuese. Ai kërkon një projekt ku të jetë titullar i padiskutueshëm dhe të rikthejë plotësisht formën që e bëri një nga lojtarët më të rrezikshëm në Ligën Premier.