Shkup, 9 korrik – Helikopteri i Ministrisë së Punëve të Brendshme “agusta bell 212” që ishte i përfshirë në shuarjen e zjarrit në afërsi të Vizbegit, është tërhequr për shkak të erës së fortë dhe tymit të dendur.
“Helikopteri i MPB-së “agusta bell 212″ u dërgua për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit në Vizbeg. U bënë disa hedhje të ujit, por për shkak të erës së përforcuar dhe tymit të dendur, helikopteri për momentin është tërhequr në bazë”, kumtoi MPB-ja.
Përveç helikopterit, në shuarjen e zjarrit është përfshirë edhe një “er traktor” i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe një helikopter. Zjarri shuhet edhe nga toka dhe janë përfshirë zjarrfikës nga Njësiti Territorial Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit dhe automjete të “Higjienës komunale”.
Zjarri është raportuar në SPB Shkup në orën 09:16. Është paraqitur në një deponi me automjete të vjetra me bombola gazi për çka dëgjohen edhe shpërthime.
Është arrestuar edhe pronari i deponisë, ndërsa në zjarrin, sipas informacioneve nga MPB-ja, është lënduar një person dhe dërguar për dhënie të ndihmës mjekësore.
