Shkup, 7 gusht – Qeveria në seancën e 100-të miratoi vendim për vazhdimin e gjendjes së krizës të shkaktuar nga zjarret në hapësira të hapura për 30 ditë.
Siç kumtoi shërbimi për shtyp i qeverisë, me këtë vazhdim sigurohet ndihmë në kohë për të gjitha zonat e prekura, gjegjësisht të gjitha burimet, përfshirë ato njerëzore, teknike dhe logjistike, mbeten të mobilizuara, të gjitha me qëllim përballjen me zjarret dhe mbrojtjen e popullsisë nga stuhitë e zjarrit.
“Njëherit, për shkak të rrezikut të lartë nga zjarret pyjore në vend, u bëjmë apel qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë ndalesën e plotë të lëvizjes në pyje dhe toka pyjore (të miratuar nga 01.07.2025 dhe do të zgjasë deri më 31.08.2025), përndryshe të gjithë ata që nuk e zbatojnë këtë vendim, i cili u miratua për të parandaluar zjarret, do të gjobiten nga 1.500 deri në 2.000 euro, qëndron në kumtesën e qeverisë.