A mund të zbulojë mamografia kancerin tek gjinjtë me densitet të lartë? Onkologia shpjegon faktet kryesore

nga Xh M

Çfarë do të thotë të kesh gjinjtë me densitet të lartë, si ndikon kjo në skrining dhe kur duhet të filloni kontrollet e rregullta?

Shëndeti i gjirit është pjesë e rëndësishme e shëndetit të përgjithshëm të çdo gruaje, por shumë ende nuk janë të vetëdijshme se çfarë do të thotë të kesh gjinjtë me densitet të lartë dhe si kjo mund të ndikojë në zbulimin e kancerit. Sipas fjalëve të Dr. Aditya Vidushi, specialiste onkologjie dhe shefe e Departamentit III në spitalin Asian në Nju Delhi, gjinjtë me densitet të lartë janë shumë të zakonshëm dhe, vetë në vetvete, nuk janë arsye për shqetësim, por kërkojnë më shumë kujdes.

Çfarë janë gjinjtë me densitet të lartë?

Kjo thjesht do të thotë se në gjinj ka më shumë ind të fortë – gjëndëror dhe lidhës dhe më pak ind dhjamor. Kjo është shumë e zakonshme dhe normale tek shumë gra, ndërsa nuk përbën asnjë anomali. Megjithatë, gratë me këtë strukturë gjiri duhet të kontrollojnë gjoksin e tyre më rregullisht, shpjegon Dr. Vidushi.

Me fjalë të tjera, densiteti i gjirit i referohet përbërjes së indit të gjirit. Densiteti më i lartë nuk mund të ndjehet me prekje, por zbulohet përmes mamografisë. Gjinjtë me densitet të lartë kanë më shumë ind gjëndëror dhe lidhës dhe më pak dhjam, gjë që mund ta vështirësojë dallimin e ndryshimeve si nyjet ose tumoret në imazhet e mamografisë, transmeton Telegrafi.

Pse është më e vështirë të zbulohet kanceri tek gjinjtë me densitet të lartë?

Sipas të dhënave të Shoqatës Amerikane për Luftën kundër Kancerit (American Cancer Society -ACS), gratë me strukturë gjiri të dendur kanë rrezik më të lartë për kancer të gjirit krahasuar me ato që kanë ind më pak të dendur. Përveç kësaj, indi i dendur e vështirëson punën e radiologëve për të zbuluar kancerin në mamografi.

– Tek gjinjtë me densitet të lartë, si indi normal ashtu edhe tumori i mundshëm duken të bardhë në imazhin e mamografisë, ndaj mjekët shpesh nuk mund të dallojnë ndryshimet e vogla, pasi ato ‘humbasin’ në densitet. Për këtë arsye, tek këto paciente nevojitet kujdes i shtuar, veçanërisht gjatë kontrolleve parandaluese për kancerin e gjirit, shpjegon Dr. Vidushi.

Meqenëse si tumori ashtu edhe indi i dendur duken në mënyrë të ngjashme në mamografi, ndryshimet mund të mbeten të pazbuluara. Për këtë arsye, është e rëndësishme që gratë me gjinj të dendur të bisedojnë me mjekun e tyre për mundësitë shtesë të skriningut, këshillon ajo.

Mamografia dhe kontrollet shtesë

Pavarësisht kufizimeve, Dr. Vidushi thekson se mamografia mbetet ende një mjet kyç.

– Mamografia e zakonshme ende mund të zbulojë shumë ndryshime tek gjinjtë me densitet të lartë. Mund të mos japë një pamje të plotë, por mund të tregojë shenjat e hershme të problemeve. Prandaj nuk duhet anashkaluar edhe nëse nuk e zbulon gjithçka, mund të jetë një hap i parë i rëndësishëm, thekson ajo, duke shtuar:

– Krahas mamografisë, mjeku mund të rekomandojë ekon e gjirit ose edhe rezonancën magnetike (MRI), nëse është e nevojshme. Ekoja përdoret shpesh dhe ndihmon për të parë më qartë nëpër indin e dendur, ndërsa, në varësi të moshës, rrezikut dhe faktorëve të tjerë shëndetësorë, mjeku do të sugjerojë llojin e kontrollit, thotë mjekja onkologe.

Këto ekzaminime shtesë ofrojnë një pamje më të qartë, veçanërisht tek gratë me rrezik të lartë ose rezultate jo të qarta nga mamografia. Ekoja është jo invazive, lehtësisht e disponueshme dhe ndihmon në zbulimin e nyjeve që nuk shihen në mamografi.

Kur duhet të fillojnë gratë me gjinj të dendur kontrollet?

Dr. Vidushi thekson rëndësinë e kontrolleve të hershme, sidomos tek gratë me rrezik të shtuar.

– Rekomandimi i përgjithshëm është që gratë të fillojnë kontrollet e rregullta të gjirit nga mosha 40 vjeç. Megjithatë, nëse ka histori familjare të kancerit të gjirit ose dihet se gjinjtë janë të dendur, kontrollet mund të fillojnë që nga mosha 35 vjeç. Zbulimi i hershëm rrit ndjeshëm mundësinë e trajtimit të suksesshëm, përfundon ajo.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More