Shkup, 9 shator – Kryetari i Alternativës, njëherësh njëri nga liderët e VLEN-it, Zeqirija Ibrahimi, gjatë fjalimit të tij në haojen e shtabit zgjedhor në Çair, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe mbrojtjes së interesave të banorëve të Çairit.
Ibrahimi pranoi se gjatë viteve të fundit kanë ekzistuar dallime të mëdha dhe beteja politike që i kanë ndarë përkohësisht në anë të kundërta. Megjithatë, ai rikujtoi një mësim të vlefshëm nga Faik Konica, i cili njëherë i tha Ahmet Zogut: “Sa flasim mes vete, unë jam kundërshtari yt, por për të tjerët unë jam mbrojtësi yt.” Ky mesazh nënvizon se pavarësisht mosmarrëveshjeve të brendshme, në ballafaqim me sfidat e jashtme duhet të qëndrohet të bashkuar.
“Unë dhe Izet Mexhiti flasim për të ardhmen e Çairit dhe punojmë për mirëqenien e qytetarëve,” tha Ibrahimi. Ai shtoi me forcë se nuk do të lejojë që dikush të përdorë “telekomandë nga Zajazi” për të influencuar apo kontrolluar vendimet dhe fitoret politike në Çair. “Kjo nuk ndodh asnjëherë,” theksoi ai, duke bërë të qartë se mbrojtja e interesave lokale do të jetë prioritet i pandryshueshëm dhe se ndërhyrjet e jashtme nuk do të kenë vend në proceset politike të lagjes.