Shkup, 10 shtator – Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, njëherë edhe kandidat për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti ka inspektuar nga afër punimet në ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit në rrugën “Bajram Shabani” në Gazi Babë. Mexhiti thotë se projekti synon qasje të vazhdueshme të qytetarëve në ujë për pije.
“I pamë nga afër punimet në rrugën “Bajram Shabani” në Gazi Babë, të cilat synojnë përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm, për banorët e kësaj zone. Projekti në vlerë mbi 6 milionë denarë, përfshin ndërtimin e një gypi të ri me profil DN 280 mm dhe gjatësi 235 metra, duke zëvendësuar rrjetin ekzistues. Me këtë ndërhyrje, eliminohen ndërprerjet e shpeshta dhe furnizimi i pamjaftueshëm, duke garantuar furnizim stabil me ujë, presion i përmirësuar i ujit përgjatë të gjithë rrugës. Ky projekt realizohet nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me Komunën e Çairit, dhe synon sigurimin e aksesit të vazhdueshëm dhe ujë të pijshëm për banorët”, tha Mexhiti.