Nga Majlinda Bregu
Në një grimë kohe, prej një muaji, raportohen një zinxhir skandalesh që po dëmton shëndetin e të gjithëve, fermerët e ndershëm, ekonominë dhe imazhin e Shqipërisë.
Kjo nuk është thjesht një kronikë lajmesh.
Është mallkim, vendim, dënim.
Ndaj duhet të jetë tashmë çështje SIGURIE KOMBETARE. Kur ushqimi që hamë nuk është i sigurt, vihet në rrezik shëndeti i të gjithëve.
Në një kohë kur bota flet për BIOTERRORIZEM, dhe rrezikun e përdorimit të ushqimit si armë,Shqipëria nuk mund ta injorojë këtë kërcënim.
Përtej detyrimeve që parashikojnë ligjet tona dhe ato të BE-së, nga
testime laboratorike të detyrueshme në laboratorë të çertifikuar po sipas standardeve të BE-së; inspektime të papritura dhe të rregullta,( jo vetëm pas shpërthimit të skandaleve), qytetarët duhet të sigurohen se nuk po helmohen çdo ditë.
Me një përpjekje serioze, mund të publikohet e përditësuar lista e produkteve që kalojnë testet, që konsumatori ta dijë çfarë është i sigurt të blejë e të hajë.
Të vendosen etiketa me gjurmues (barcode/QR) në çdo produkt, (jo vetëm në supermarket), në mënyrë që gjithkush të kontrollojë origjinën dhe certifikimin në çdo pikë shitjeje.
Dhe sigurisht të raportohet menjëherë publikisht për çdo produkt të ndaluar, duke bërë transparente emrat e kompanive dhe individëve përgjegjës.
Siguria ushqimore është një provë shtetformuese për Shqipërinë.
Nëse ka një thelb të përbashkët mes pjeshkave, specave e domateve,nga Shqipëria, nuk është ai I termit :frutazarzavate. Është HUMBJA.
Këtu humbim të gjithë.
Faji këtu është fatal.
Nuk ka shëndet, pa standard e siguri ushqimore.
Nuk ka ekonomi të fortë pa produkte të besueshme.
Nuk ka integrim në BE nëse nuk zhdukim helmet tona.
Nuk mjaftojnë masat gjysmake apo arnat afatshkurtra, të cilat nuk ndryshojne gjendjen.
BioTerrorizmi po gjëlloi me këtë ritëm, na zhbëri të gjithëve.
Shqipëria ka nevojë urgjente për një REFORME KOMBETARE të SIGURISE USHQIMORE që mbron shëndetin e qytetarëve, ekonominë kombëtare dhe të ardhmen .