Kosova fitoi lirinë, por humbi drejtësinë!

nga Redaksia

Shkruan, Dijana Toska

Kosova është një nga shembujt më të dhimbshëm të paradoksit historik: një popull arriti ta fitojë lirinë politike, por nuk arriti ta ngrejë drejtësinë mbi themele të forta. Lufta solli çlirimin nga represioni i një sistemi të padrejtë, por në vend që të ndërtohej një rend i ri juridik i pastër dhe i barabartë, u krijua një realitet i brishtë, shpesh i deformuar nga politika dhe korrupsioni.
Liria e vitit 1999 ishte premtimi më i madh, të drejtën për të pasur institucione të lira, gjykata që do t’i shërbenin qytetarit, dhe ligje që do t’i mbronin më të dobëtit. Por realiteti pas luftës na tregoi një histori tjetër të pasuksesshme. Sistemi i drejtësisë mbeti nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve, duke ia marrë përgjegjësinë vetë shoqërisë kosovare.
Kosova fitoi lirinë nga një regjim shtypës, por humbi 25 vite mundësi për të ndërtuar një sistem që do t’i jepte kuptim kësaj lirie. Ndërkohë që viktimat e luftës ende presin zbardhjen e së vërtetës dhe dënimin e fajtorëve, të zhdukurit nuk u kthyen, krimet nuk u gjykuan, e kriminelët e luftës e të pasluftës i krijuan ligjet e tyre të ndikimit dhe zaptuan drejtësinë e lirisë.
Prandaj, Kosova sot përballet me një sfidë madhore, ti shpallë luftë padrejtësisë sistemore që e ndërtoi vetë. Të fitojë drejtësinë në paqe. Të ndërtojë institucione që nuk i shërbejnë partive apo individëve të fuqishëm, por të vërtetës dhe ligjit. Sepse vetëm atëherë liria do të ketë kuptim të plotë, dhe sakrifica e mijëra njerëzve nuk do të mbetet një zhgënjim i pariparueshëm.
Ligji që nuk u bë kulturë
Në historinë e Kosovës, ligji rrallëherë ka qenë një aleat i qytetarit. Për dekada të tëra, gjykatat ishin salla të ftohta ku vendosej jo drejtësia, por pushteti. Aty ku duhej të gjendej e drejta, ngriheshin muret e frikës dhe dënimeve politike. Për shqiptarët, ligji nuk ishte simbol i të drejtës, por maskë e padrejtësisë. Dhe kështu, u trashëgua një kulturë e mosbesimit, që ende sot e gërryen shtetin e ri i cili ende nuk po gjen mënyrën për të vendosur drejtësinë si bazë të pajtimit.
Pas vitit 1999, Kosova fitoi lirinë dhe shpresën se më në fund do të kishte një rend juridik të vetin. Por gjykatat e reja lindën mbi rrënoja të vjetra. Politika u fut në to si hije, duke i kthyer vendimet gjyqësore në pazare, dhe duke e shndërruar drejtësinë në pre të korrupsionit. Qytetari i zakonshëm, në vend që ta shihte ligjin si mburojë, e pa si pengesë. Shumëkush më lehtë kërkoi një mik të fuqishëm sesa një avokat, më lehtë një rrugë të shkurtër sesa një proces të gjatë e të pasigurt.
Kultura juridike nuk lindi bashkë me paqën, sepse ligji nuk u bë pjesë e përvojës së përditshme të njeriut. Shkolla nuk e mësoi si duhej, gjykatat nuk e zbatuan si duhet, politika nuk e mbrojti por e përdhunoi për interese të veta. Në vend të ligjit, mbeti gjallë zakoni, klani, ndërmjetësimi i fshehtë. Ligji mbeti letër, ndërsa jeta vazhdoi të rregullohej me norma të pashkruara që i vendosën të fuqishmit duke mos zgjedhur mjete për ta mbajtur në grusht të drejtën e qytetarit dhe tërë sistemin e drejtësisë për interesa të ngushta.
Kjo është plaga që e bën lirinë të paplotë.
Vetëm kur ligji të bëhet kulturë, liria do të jetë e plotë, dhe Kosova do të jetë shtëpia e drejtësisë së vet dhe ndërgjegjes kolektive.
9.9.2025

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More