Negotinë, 21 shtator – Prokuroria ka nisur një hetim kundër një banori të Negotinës i cili u përpoq t’i zhvaste kryetarit të komunës tre mijë euro dhe e kërcënoi atë, informoi sot Prokuroria Publike.
“Prokuroria Themelore Publike në Kavadar ka nisur një hetim kundër një personi nga Negotina për vepër penale – Zhvatje sipas nenit 258, paragrafi 1 në lidhje me nenin 19 (tentativë), si dhe Rrezikim i sigurisë sipas nenit 144, paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 2 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal”, shpjegoi Prokuroria.
Sipas komunikatës, ai kreu krimet kundër kryetarit të Komunës së Negotinës. Më 2 shtator, ai i shkroi kryetarit të komunës nga një profil anonim në Fejsbuk dhe me kërcënime serioze të drejtpërdrejta kundër tij dhe familjes së tij, u përpoq ta detyronte atë t’i paguante 3.000 euro.
Në periudhën nga 4 deri më 18 shtator, siç raporton Prokuroria, në disa raste i dyshuari ka dërguar mesazhe me kërcënime me vdekje drejtuar kryetarit të komunës dhe në e-mailin zyrtar të komunës, gjë që shkaktoi ndjenjë pasigurie, kërcënimi dhe frike tek i dëmtuari dhe familja e tij.
“Meqenëse ekzistojnë baza ligjore – rreziku i arratisjes dhe mundësia që i dyshuari ta përsërisë krimin, prokurori publik i ka paraqitur gjykatësit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit”, njoftoi Prokuroria.