Qindra gjeneralë dhe admiralë janë thirrur në bazën e Quantico-s.
Presidenti amerikan Donald Trump do të marrë pjesë në një takim urgjent të thirrur nga Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, me pjesëmarrjen e qindra gjeneralëve dhe admiralëve nga mbarë bota, në bazën e Korpusit të Marinës në Quantico, Virginia.
Sipas Associated Press, Hegseth urdhëroi thirrjen e komandantëve të lartë të ushtrisë – nga gjeneralë me një yll deri në gradat më të larta – së bashku me këshilltarët e tyre kryesorë, pa paralajmërim dhe pa shpjeguar arsyet.
Kjo mbledhje e pazakontë ka ngritur pikëpyetje të shumta në Washington dhe më gjerë.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, në kushte anonimiteti, konfirmoi se pjesëmarrja e Trump nuk ishte planifikuar fillimisht, por ai vendosi të jetë i pranishëm.
Në një intervistë për NBC News, Trump tha se do të flasë për “gjendjen shumë të mirë të ushtrisë” dhe “gjëra pozitive”.
Megjithatë, mediat amerikane theksojnë se prania e presidentit mund të politizojë një ngjarje që zakonisht konsiderohet jopartiake.
Kujtojmë se në qershor, Trump mbajti një fjalim me ton elektoral përpara trupave në Fort Bragg, ku kritikoi paraardhësin e tij, Joe Biden.
Ndërkohë, Trump ka zgjeruar rolin e ushtrisë brenda qyteteve amerikane, duke argumentuar se nevojitet një prani më e madhe ushtarake për të luftuar kriminalitetin në zona të kontrolluara nga drejtues demokratë.