Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav ka bërë thirrje që sa më shpejt të konstitutohet Kuvendi dhe më pas të formohet Qeveria, raporton Ekonomia Online.
Këto komente ai i bëri pasi mori pjesë në një takim të organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit me rastin e 25-vjetorit të themelimit të këtij institucioni.
Ai është përgjigjur edhe në pyetjen e gazetarëve në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e mori të martën e 30 shtatorit në lidhje me ankesën e Listës Serbe.
“Ne, ashtu si njerëzit në Kosovë, e kemi marrë këtë informacion tash kohët e fundit, në të njëjtën mënyrë edhe Bashkësia Ndërkombëtare e mori po ashtu kohët e fundit, dhe ne po e analizojmë për momentin. Por sigurisht shpresa jonë është që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt të jetë e mundur, dhe shpresojmë shumë që edhe të ketë një qeveri të plotë sa më shpejt. Ju lutem, konstituoni Kuvendin, dhe ju lutem, formoni Qeverinë”, është përgjigjur Orav duke mos komentuar më shumë.
