Zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian kanë mirëpritur sot marrëveshjen midis Izraelit dhe organizatës militante palestineze “Hamas” mbi fazën e parë të një plani paqeje për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës.
“Tani, të gjitha palët duhet t’i përmbahen plotësisht kushteve të marrëveshjes. Të gjithë pengjet duhet të lirohen në mënyrë të sigurt. Duhet të vendoset një armëpushim i përhershëm. Vuajtjet duhet të marrin fund”, shkroi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në X.
“Mundësia e sotme duhet të shfrytëzohet”, shtoi ajo.
“Është mundësia për të krijuar një rrugë të besueshme politike drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme”, tha Von der Leyen.
“Marrëveshja për fazën e parë të marrëveshjes së paqes në Gaza shënon një progres të madh”, tha shefja e punëve të jashtme të BE-së, Kaja Kallas në X.
“BE do të bëjë çmos për të mbështetur zbatimin e saj”, shtoi ajo.
“Kjo është një mundësi thelbësore që duhet të shfrytëzohet për të hedhur themelet për një paqe të qëndrueshme, të bazuar në një zgjidhje me dy shtete”, tha presidenti i Këshillit Evropian, António Costa.
Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, tha se marrëveshja shënonte një moment vendimtar për paqen në Lindjen e Mesme dhe hap një rrugë që mund t’i japë fund ciklit ndër breza – të dhunës, vuajtjeve dhe terrorit që ka pllakosur rajonin.
“Kjo u jep shpresë të gjithë banorëve në Gaza që kërkojnë një të ardhme paqësore dhe familjeve të atyre pengjeve që ende vuajnë në tunelet e Hamasit”, tha ajo.