Hetimet për vrasjen e pronarit 68-vjeçar të kampingut dhe punëtorit 62-vjeçar në Finikounda të Mesinias në Greqi, po vazhdojnë me intensitet të lartë nga autoritetet greke.
Policia po përpiqet të zgjidhë enigmën për të identifikuar autorin e vrasjes së dyfishtë në Greqi, ku mbeti i vrarë pronari i një kampingu dhe punonjësi i tij, dhe ku dyshohet se shkak i vrasjes ishte një testament i lënë nga pronari për nipin e tij.
Testamenti i zbuluar tregon se pista kryesore mbetet ajo e pasurisë dhe konflikteve që ajo solli, pasi biznesmeni kishte lënë një pjesë të konsiderueshme të pasurisë njërit nga nipat dhe një pjesë tjetër punëtorit.
Mes të dyshuarve për vrasjen e dyfishtë është edhe nipi i biznesmenit, i cili është i vetmi i mbijetuar nga sulmi fatal të dielën e kaluar. Ai ka dhënë dëshmi kontradiktore, ndërsa besohet se ai dhe familjarët e tjerë janë të pakënaqur për shkak të testamentit, edhe pse më shumë se gjysma e pasurisë do t’i kalonte atij.
Pronari i kampingut kishte hartuar testamentin tre ditë para vrasjes. Në të, ai i jepte pjesën më të madhe të pronës nipit të tij, i cili ishte edhe dëshmitar i ngjarjes.
Në testament, biznesmeni shkruante:
“Po shkruaj testamentin tim në rast të një vdekjeje të papritur”, duke treguar kështu shqetësimin për jetën e tij.
Më tej, ai ia kushtonte nipit pjesën më të madhe të pasurisë, duke e përshkruar atë si “djalin e vëllait tim të ndjerë”, dhe shtonte se e donte si një fëmijë, pasi e kishte pasur nën kujdesin e tij shpirtëror që kur ishte i vogël, dhe ai gjithmonë ishte i respektueshëm dhe i përkushtuar për ta bërë atë të lumtur.
“Nipit tim të dashur….., djalit të vëllait tim të ndjerë…., sepse e dua si fëmijën tim pasi e kam pasur nën udhëheqjen time shpirtërore që kur ishte fëmijë dhe ai nuk i ka keqkuptuar kurrë urdhrat e mia dhe gjithmonë përpiqet të më bëjë të lumtur me shumë respekt dhe dashuri, ia lë pjesën më të madhe të pasurisë sime”, kishte shkruar 68-vjeçari.
Në testament ai i linte kujdestarit të kampingut, mikut të tij të ngushtë që u vra natën e së dielës, gjysmën e arës që e zotëronte së bashku me nipin, si dhe shuma të konsiderueshme parash.
Në fund, biznesmeni shprehte dëshirën që motra dhe djali i saj të merrnin nga 100 mijë euro secili, ndërsa miku i tij të merrte 200 mijë euro në rast se nipi i tij vendoste të shiste pronën.
Autoritetet kanë në dorë edhe një testament të mëparshëm të biznesmenit 68-vjeçar, i cili besohet të jetë hartuar rreth një vit më parë dhe të jetë i vulosur. Ata presin që krahasimi i të dy dokumenteve të ndihmojë në zbardhjen e vrasjes së dyfishtë.
Ngjarja ndodhi të dielën e kaluar në mbrëmje në një kamping në Finikounda, ku autori i maskuar hyri me forcë në zonën e pritjes ku ndodheshin pronari 68-vjeçar, kujdestari i tij 60-vjeçar dhe një mik i vjetër i tyre.
Personi i armatosur qëlloi me gjakftohtësi pronarin, duke e plagosur për vdekje, dhe më pas vrau mikun që u përpoq të arratisej. Nipi i pronarit, i cili ishte gjithashtu prezent, arriti të ikë.
Një punonjës i një stacioni karburanti në zonë deklaroi se dyshuari kryesor kaloi pranë stacionit të tij, i cili ndodhet në rrugën për në Kyparissia, Kalo Nero, duke u drejtuar drejt Pyrgos.
Punonjësi përshkroi të dyshuarin si një person me lëkurë të errët, trup të hollë dhe të shkurtër. Ai kishte helmetë në kokë, gjë që e bënte të pamundur dallimin e flokëve dhe ngjyrës së tyre.
Nipi i pronarit përshkroi autorin me karakteristika të ndryshme, duke thënë se ai kishte lëkurë të çelët dhe flokë të verdhë, të drejtë dhe të rrallë, duke shtuar se mendohej të ishte i mitur ose shumë i ri.
Testamenti:
