49-vjeçari Alban Muço, që shtirej si prokuror i SPAK në qytetin e Sarandës, do të qëndrojë në burg me akuzën e mashtrimit dhe përvetësimit të titullit. Gjykata e Sarandës e ka lënë në qeli, pasi Muço kishte ngritur një grup, të cilët hiqeshin si agjentë dhe prokurorë të Prokurorisë së Posaçme.
Alban Muço, i arrestuar dy ditë më parë nga blutë e Sarandës, ka dalë para Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, e cila ka vendosur ta lërë në masën “arrest në burg” për akuzën e “mashtrimit dhe përvetësimit të titullit”.
49-vjeçari kishte ngritur një grup pune me disa djem, të cilët i mashtronte se ishte prokuror i SPAK, ndërsa ata i kishte punësuar si agjentë. Muço, pak kohë më parë, ishte dënuar me arrest shtëpie për të njëjtën vepër të ushtruar në Berat. Pasi thyeu masën e sigurisë, nisi të ushtronte veprimtarinë e tij të mashtrimit në Sarandë, ku edhe u arrestua nga efektivët e policisë. Avokati Armand Caushi pretendon se klienti i tij është në gjendje deluzionare dhe nuk ka dëmtuar asnjë qytetar.
49-vjeçari do të qëndrojë në masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa prokuroria do të vazhdojë hetimet për të zbardhur veprimtarinë e Alban Muços, nëse ka përfituar apo jo pasuri nëpërmjet mashtrimit.