Legjenda franceze e futbollit, Zinedine Zidane, ka folur për të ardhmen e tij profesionale, duke mos e përjashtuar mundësinë e rikthimit në stolin e një klubi të madh si Juventusi, por edhe duke konfirmuar ambicien për të drejtuar një ditë Kombëtaren e Francës.
“Patjetër që do të kthehem si trajner”, tha Zidane, i cili që nga viti 2021 nuk ka marrë drejtimin e asnjë skuadre.
“Unë te Juventusi? Nuk e di pse nuk ka ndodhur kurrë. Është një klub që e kam gjithmonë pranë zemrës, sepse më ka dhënë shumë. Nuk e di se çfarë do të sjellë e ardhmja, por një nga qëllimet e mia është të stërvis kombëtaren franceze. Do të shohim”, deklaroi ai.
Zidane foli edhe për kalimin e tij nga fusha e lojës në karrierën e trajnerit.
“Kur u ndala, ndryshova jetën time. Pas tre vitesh, nuk dija çfarë të bëja. Provova shumë gjëra derisa u regjistrova në kursin e trajnerit”, pohoi ai.
Ai përmendi edhe ndikimin e madh që kanë pasur disa prej trajnerëve të tij në formimin personal dhe profesional.
“Nga të gjithë trajnerët që kam pasur, ai nga i cili mësova më shumë ishte Marcello Lippi. Ai ishte shumë i rëndësishëm për mua, sepse kur mbërrita në Itali në fillim ishte e vështirë, por ai gjithmonë besonte tek unë”, tha Zidane.
Ai përmendi edhe marrëdhënien e tij me Carlo Ancelottin.
“Së pari e kisha si trajner, pastaj u bëra asistent i tij. Ai është një mik dhe ka qenë shumë i rëndësishëm për karrierën time. Ishte një trajner i shkëlqyer, sepse na dëgjonte ne lojtarëve”, përfundoi ai.
Zidane mbetet një nga figurat më të respektuara të futbollit botëror dhe rikthimi i tij në stolin e ndonjë skuadre pritet me interes të madh nga bota e futbollit.