Kosova përfshihet në Nismën për Anëtarët Kandidatë për Zgjerim (ECMI) të Komitetit Ekonomik dhe Social Europian (EESC), nismë kjo e formalizuar në vitin 2023, por që Kosova kishte mbetur jashtë në mungesë të statusit të vendit kandidat për integrim në BE.
Përfshirja e Kosovës në ECMI u mundësua falë angazhimit të vazhdueshëm të Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) përmes Rrjetit Ballkanik për Zhvillim të Shoqërisë Civile (BCSDN) dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerë rajonal dhe e njëjta u përkrah edhe nga Presidenti i EESC-së, z. Oliver Röpke.
Nëpërmjet këtij rrjeti, KCSF ka koordinuar një fushatë avokuese rajonale të mbështetur nga 104 organizata të shoqërisë civile nga e gjithë Ballkani, duke kërkuar përfshirjen e Kosovës në këtë nismë të rëndësishme europiane.
KCSF ka vlerësuar se ky është rezultat i një përpjekjeje të gjatë të shoqërisë civile të Kosovës dhe rajonit duke treguar se zëri i shoqërisë civile, solidariteti dhe bashkëpunimi rajonal mund të sjellin ndryshime konkrete.
Shoqëria civile e Kosovës tashmë do të ketë mundësi të kontribuojë drejtpërdrejt në debatet dhe politikat që formësojnë të ardhmen europiane, krahas 27 vendeve anëtare të BE-së.
Çfarë është EESC dhe ECMI?
Komiteti Ekonomik dhe Social Europian (EESC) është trupë këshilluese e BE-së që nga 1957, që sjell zërin e përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe partnerëve socialë të Europës në politikëbërje. Përmes opinioneve të tij, ky komitet këshillon vendimmarrësit e BE-së dhe siguron dialog të strukturuar me publikun europian. Me seli në Bruksel, EESC numëron 329 anëtarë nga 27 vendet anëtare të BE-së.
Në shtator të vitit 2023, EESC lansoi Nismën për Anëtarët Kandidatë për Zgjerim (ECMI), e cila përfshin përfaqësues të OJQ-ve dhe partnerëve social nga vendet kandidate të BE-së në punën këshillimore të EESC. Përmes ECMI, EESC synon të përgatisë dhe integrojë shtetet kandidate në Bashkimin Europian edhe para anëtarësimit, duke u bërë pjesë e trupave formale të BE-së, duke marrë pjesë dhe kontribuar në diskutime që ndikojnë politikat e BE-së, duke nisur kështu integrimin e shoqërisë civile shumë para integrimit përfundimtar të shtetit.
Rëndësia e përfshirjes së Kosovës në ECMI
Kosova fillimisht kishte mbetur jashtë ECMI-së për shkak të kriterit të statusit formal të vendit kandidat. Lidhur me këtë në prill të vitit 2024 KCSF, kishte nisur një reagim në Komitetin Ekonomik dhe Social Europian pasi që Kosova ishte vendi i vetëm me perspektivë të anëtarësimit në BE, që nuk përfshihej në këtë nismë, duke argumentuar se mungesa e statusit kandidat nuk duhet të jetë pengesë për përfshirje të Kosovës në këtë trupë.
Duke e konsideruar këtë vendim të Komitetit si të gabuar dhe në kundërshtim me vlerat dhe parimet që promovohen nga ky institucion i BE-së, KCSF bashkë me përfaqësues tjerë të shoqërisë civile dhe sindikatave nga Kosova më 24 maj 2024, zhvilluan takim me udhëheqës të EESC-së, ku është shprehur shqetësimi për mos-përfshirje të Kosovës dhe është kërkuar korrigjimi i këtij vendimi. Për më tepër, e njëjta kërkesë është përsëritur edhe në Konferencën e Nivelit të Lartë për shoqërinë civile që u zhvillua në Bruksel nga Komiteti Ekonomik dhe Social Europian me 24 tetor 2024.
Ndërkaq në nëntor të 2024-ës BCSDN, anëtare e së cilës është KCSF, kishte dorëzuar letër të nënshkruar nga mbi 100 organizata të shoqërisë civile nga Ballkani në Komitetin Ekonomik dhe Social Europian me kërkesën për përfshirjen e Kosovës ECMI.
KCSF vlerëson se përfshirja e Kosovës në këtë nismë është thelbësore për një bashkëpunim më të fortë rajonal dhe për të mbështetur rrugën tonë të përbashkët drejt integrimit europian.
Ky zhvillim përbën një fitore për barazinë dhe integrimin e Kosovës në proceset europiane, duke hapur mundësi të reja për bashkëpunim, përfaqësim dhe ndikim të shoqërisë civile kosovare në agjendën e BE-së.