SHBA e Kina në bisedime për të shmangur luftën tregtare

nga L. M

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha se pret të takohet me homologun e tij kinez, zëvendëskryeministrin He Lifeng, në Azi gjatë javëve në vijim.

Të hënën, Bessent deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë në bisedime me Kinën për të ulur tensionet tregtare që u ringjallën javën e kaluar, pasi Pekini njoftoi planet për të vendosur kufizime të eksportit mbi magnetët e tokave të rralla – që përdoren në një sërë produktesh të teknologjisë së lartë.

“Ka pasur komunikime të konsiderueshme gjatë fundjavës,” tha Bessent në një intervistë për Fox Business, duke shtuar se këtë javë në Uashington priten më shumë bisedime “në nivel stafi”, ndërsa zyrtarë kinezë ndodhen aty për takimet vjetore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Bessent tha gjithashtu se pret që presidenti Donald Trump të takohet me presidentin kinez, Xi Jinping, në Korenë e Jugut në fund të tetorit, pak para takimit vjetor të udhëheqësve të 21 ekonomive të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).

Javën e kaluar, Trump kërcënoi se do të vendosë tarifa 100 për qind mbi mallrat kineze duke filluar nga 1 nëntori dhe se do të anulojë takimin me Xi-n, pasi Kina njoftoi kufizimet e eksportit të tokave të rralla. Ky lajm shkaktoi rënie të tregjeve financiare të premten, për shkak të frikës së ringjalljes së një lufte tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë.

Bessent tha se pritet të zhvillojë bisedime në Azi me zëvendëskryeministrin kinez He Lifeng përpara takimit Trump–Xi në Korenë e Jugut.

Duke theksuar se marrëdhëniet SHBA–Kinë në përgjithësi janë në “gjendje të mirë” dhe se “tarifat 100 për qind nuk kanë pse të ndodhin”, Bessent kërkoi që Pekini të tërhiqet nga planet për kufizimin e magnetëve të tokave të rralla. Ai madje sugjeroi se vendimi mund të jetë marrë nga një “zyrtar i nivelit të ulët” në Kinë, jo nga vetë Xi.

“Kjo është Kina kundër botës. Kina po ndërmerr veprime shumë të rënda dhe të rrezikshme që kërcënojnë zinxhirët globalë të furnizimit dhe bazës industriale të gjithë botës së lirë, dhe ne nuk do ta pranojmë këtë,” tha Bessent. “Një grup burokratësh në Kinë nuk mund t’u tregojë neve dhe aleatëve tanë se si të menaxhojmë sistemin tonë të furnizimit.”

Sipas tij, SHBA pret të marrë mbështetje të fortë për qëndrimin e saj nga Evropa, India dhe demokracitë e Azisë.

“Besoj se Kina është e hapur për dialog në këtë çështje. Dhe nëse nuk është, ne kemi mjete të fuqishme që mund t’i përdorim nga ana jonë,” shtoi Bessent.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More