Shkup, 19 tetor – “Sot, në mbarë vendin po zhvillohet procesi i votimit për zgjedhjet lokale. Deri në këto momente, zgjedhjet po mbahen në një atmosferë të qetë dhe demokratike, pa incidente të raportuara, pa presione dhe pa agjitacione nëpër vendvotime.
Ky është një sinjal pozitiv se vendi po hyn në një fazë të pjekurisë demokratike, ku respekti për vullnetin qytetar është mbi gjithçka tjetër.
Koalicioni VLEN vlerëson se procesi po ecën normalisht dhe u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të vazhdojnë me profesionalizëm, transparencë dhe paanshmëri në menaxhimin e ditës zgjedhore.
Njëkohësisht, i ftojmë të gjithë qytetarët që ende nuk kanë dalë në votim, ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe ta bëjnë pjesën e tyre në këtë proces demokratik.
Çdo votë ka rëndësi, çdo qytetar ka peshën e tij në vendimmarrje. Le të dëshmojmë edhe sot se dimë të votojmë me qetësi, me dinjitet dhe me përgjegjësi për të ardhmen e komunave tona.”
Zëdhënës i Shtabit Qendror VLEN, Driton Sulejmani
