Tetovë, 26 tetor – Në Tetovë, një automjet u bllokua në një nënkalim për shkak të ujit të grumbulluar nga reshjet e dendura të shiut, njofton Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK). Shoferi ka arritur të largohet me kohë nga vetura dhe nuk ka pësuar lëndime.
Rasti është raportuar përmes numrit të emergjencës E-112, ndërsa bëhet fjalë për nënkalimin në lagjen Dardania, afër poligonit të makinave. Në vendngjarje kanë ndërhyrë ekipet e SPB Tetovë dhe Njësisë Territoriale të Zjarrfikësve të Tetovës, me dy automjete zjarrfikëse dhe katër zjarrfikës.
Nga QMK u bëhet thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe u rekomandohet që të përdorin rrugët alternative në lagjen Dardania deri në përfundimin e pastrimit dhe normalizimit të situatës.
