Prokurori i Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Prizren, Beqë Shala, është arrestuar në një aksion të udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).
Shala dyshohet për kryerjen e veprës penale “Marrje ryshfeti”.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren kanë arrestuar B.Sh nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”. I dyshuari B.Sh., prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, është arrestuar në vendin e punës.Prokuroria Speciale së bashku me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi”, njofton PSRK.
