Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), ka pranuar një donacion me pajisje teknologjike nga Ambasada Gjermane në Kosovë. Donacioni përfshin kompjuterë, monitorë, iPad dhe Smart Board modern, si pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Policisë Federale Gjermane (BKA), i cili u realizua përmes Zyrës së Ndërlidhësit Policor Gjerman.
Qëllimi i këtij donacioni është përforcimi i kapaciteteve të ILECU-t dhe ngritja e cilësisë së shërbimeve policore në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Në takimin e organizuar për pranim-dorëzimin e donacionit, kolonel Gazmend Hoxha, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, dhe ambasadori gjerman, Rainer Rudolph, theksuan rëndësinë e këtij bashkëpunimi dhe angazhimin e përbashkët për avancimin e projekteve që synojnë forcimin e bashkëpunimit policor ndërkombëtar.
Në ceremoni morën pjesë stafi i lartë menaxhues i Policisë së Kosovës, Drejtoria e ILECU-t dhe përfaqësues të Ambasadës Gjermane, të cilët udhëhoqën këtë iniciativë.
Policia e Kosovës falënderon Ambasadën Gjermane për mbështetjen e vazhdueshme dhe thekson se ky donacion do të kontribuojë drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimeve policore të Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor.



