Shkup, 28 tetor – Është pranuar propozimi për caktimin e masës së paraburgimit në rastin e “Higjienës Komunale”.
Pas seancës së mbajtur nga gjykatësi i procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale të Shkupit, i cili veproi mbi propozimin e Prokurorisë Themelore Publike të Shkupit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave, për të cilët ekziston dyshim i bazuar për kryerjen e veprës penale sipas nenit 230 paragrafi 1 i Kodit Penal – Rrezikim i mjedisit jetësor dhe natyrës me mbeturina, është vendosur që të dyshuarit të mbahen në paraburgim.
Të dy personat, që pasditen e sotme u sollën në gjykatë dhe u deklaruan në prani të prokurorit publik dhe avokatëve të tyre, do të qëndrojnë 30 ditë në paraburgim, pasi gjykatësi e pranoi kërkesën e prokurorisë.
Sipas vendimit të gjykatës, ndaj të dyshuarve S.R. dhe A.S., të punësuar në Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale”, masa e paraburgimit është caktuar për shkak të ekzistimit të bazave nga neni 165 paragrafi 1 pika 2 dhe 3 të Kodit Penal – rreziku që të pengojnë hetimin ose të ndikojnë mbi dëshmitarët, si dhe mundësia e përsëritjes së veprës penale.
Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese para Këshillit Penal të të njëjtës gjykatë, njoftuan pasditen e sotme nga Gjykata Themelore Penale e Shkupit.
