Ukraina planifikon të kërkojë 43 miliardë dollarë kompensim për klimën nga Rusia për të ndihmuar në financimin e një rindërtimi miqësor ndaj planetit pas luftës, tha dje në mbrëmje Kievi në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, në Brazil.
“Në shumë mënyra, Rusia po bën një luftë “të pistë” dhe klima jonë është gjithashtu një viktimë”, tha zëvendësministri i Ekonomisë, Mjedisit dhe Bujqësisë i Ukrainës, Pavlo Kartashov, në aktivitetin e zhvilluar dje në Belem, Brazil.
“Sasitë e mëdha të karburantit të djegur, pyjet e djegura, ndërtesat e shkatërruara, betoni dhe çeliku i përdorur, të gjitha këto në thelb, janë emetimeve të gazrave serrë dhe kanë një kosto të konsiderueshme klimatike. Ne, në Ukrainë përballemi drejtpërdrejt me brutalitetin, por valët e goditjes klimatike të këtij agresioni do të ndihen shumë përtej kufijve tanë dhe në të ardhmen”, shtoi ai.
Shifra ukrainase bazohet në një raport të tetorit të publikuar nga Iniciativa për Kontabilitetin e Gazrave Serrë të Luftës (IGGAW).
Iniciativa e financuar nga qeveria, vlerësoi se pushtimi rus i Ukrainës ka krijuar emetime globale të ngrohjes ekuivalente me 236,8 milion tonë dioksid karboni.
Sipas shifrave, sasia e emetimeve të gazrave serrë në Ukrainë është e barabartë me emetimet e tyre të kombinuara në Austri, Hungari, Republikën Çeke dhe Sllovaki në një vit.
“Dokumentimi ynë i kujdesshëm i emetimeve të karbonit nga pushtimi rus në Ukrainë, do të jetë baza e kërkesës së Ukrainës për kompensim”, tha autori kryesor i raportit, Lennard de Klerk.
Ukraina ka hartuar një ligj për të udhëhequr një “rimëkëmbje të gjelbër” dhe për të tërhequr investime. Ajo tashmë është zotuar të përputhet me politikat klimatike të BE-së.
