Kryetari i AAK-së ka thënë se data e parapëlqyer e Vetëvendosjes që është 28 dhjetori do të ishte një gabim, meqenëse do të ndërhynin në planet e qytetarëve por edhe nuk do të ishte në favorin e tyre ani pse ata shpresojnë tek diaspora, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj para takimit te Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha dy data të parapëlqyera sipas tij për zgjedhjet e ardhshme, e që janë 21 dhjetori ose 11 janari.
“Do të ishte mirë 21 dhjetor, por nëse jo 21 dhjetor do të ishte mirë 11 janari. Pra në mes pushimit sepse do të ishte mirë edhe për diasporën, sepse njerëzit shkojnë në pushime”, tha ai.
Haradinaj tha edhe se 28 dhjetori nuk i konvenon as VV-së meqenëse qytetarët me 26 dhjetor marrin faturat e energjisë, e do të jenë të pakënaqur me çmimet.
“28 dhjetorit kish me qenë gabim, ndërhyjmë në planet e qytetarëve. Besoj që interesi i gjithë neve është, edhe pse një pjesë e VV shpresojnë që ardhja e diasporës është në favor të tyre, por jo gjithmonë është kështu sepse siç e dini nëse shkojna me 28, faturat e energjisë shkojnë me 26-27 dhe nuk do të jetë lajm i mirë për qytetarët çmimi i energjisë. Pra edhe ata kanë interes 21 dhjetorin ose eventualisht mesin e janarit”, tha Haradinaj.
