Presidenti amerikan, Donald Trump u zotua se do të ndërhyjë në luftën brutale civile të Sudanit – pas një kërkese të Princit të Kurorës Saudite Mohammed bin Salman, duke shënuar një ndryshim të madh në qëndrimin e SHBA-së – pasi pranoi se “nuk kishte qenë në planet e tij” deri më tani, sipas “France 24”.
“Lufta shkatërruese midis ushtrisë së Sudanit dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) nuk ishte në planet e mia përpara se Princi Mohammed bin Salman të kërkonte përfshirjen time”, tha Trump.
“Tani do të punojmë për të stabilizuar konfliktin me fuqitë rajonale, veçanërisht duke përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat kanë hedhur poshtë akuzat për mbështetjen e RSF-së me armë dhe mercenarë”, shtoi presidenti amerikan.
Kombet e Bashkuara kanë bërë vazhdimisht thirrje për vëmendje më të madhe globale ndaj luftës, e cila ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve dhe ka zhvendosur gati 12 milionë banorë që nga shpërthimi i konfliktit në prill 2023.
“Madhëria e Tij do të donte që unë të bëja diçka shumë të fuqishme – që ka të bëjë me Sudanin”, tha Trump në Forumin e Investimeve SHBA-Saudite, një ditë pasi Princi Mohammed bin Salman vizitoi Shtëpinë e Bardhë.
“Nuk ishte në planet e mia për t’u përfshirë. Por e shoh që kjo është shumë e rëndësishme për ju dhe shumë nga miqtë e tu. Do të fillojmë të punojmë për Sudanin”, tha Trump.
Këshilli sovran i Sudanit i mbështetur nga Arabia Saudite, i cili kryesohet nga shefi i ushtrisë Abdel Fattah al-Burhan, tha se ishte gati të bashkëpunonte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Riadin.
Në një deklaratë, këshilli falënderoi Uashingtonin dhe Riadin për përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të ndaluar gjakderdhjen sudaneze.
Vëmendja ndërkombëtare mbi konfliktin është rritur që kur RSF-ja, kohët e fundit pushtoi qytetin kyç të Darfurit, El-Fasher, pas një rrethimi të pamëshirshëm që ka shkaktuar paralajmërime për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.
