Manchester United pritet të jetë shumë aktiv në afatin e transferimeve të janarit, dhe një nga objektivat kryesorë duket se është mesfushori brazilian i Wolverhampton Wanderers, Joao Gomes.
Sipas portalit brazilian Trivela, negociatat mes United dhe Wolves kanë përparuar ndjeshëm gjatë javës së fundit, ndërsa transferimi raportohet se është “shumë afër” finalizimit.
Marrëveshja e mundshme do të kryhet në muajin janar dhe pritet t’i sjellë Wolverhamptonit rreth 50 milionë euro.
Një shitje e tillë do të hynte në top pesë transferimet më të shtrenjta në historinë e Wolves, por do të përbënte edhe një goditje të madhe sportive për klubin, pasi Gomes ka qenë një titullar i padiskutueshëm në mesfushën e ekipit.

Mesfushori 24-vjeçar, i cili numëron dhjetë paraqitje me kombëtaren e Brazilit, u transferua nga Flamengo te Wolverhampton në vitin 2022 për rreth 18 milionë euro.
Rritja e vlerës së tij dhe forma e qëndrueshme në Ligën Premier e kanë bërë atë një objektiv tërheqës për Manchester United, që kërkon forcim të mesfushës pas një sezoni të vështirë.
Tani mbetet të shihet nëse Gomes do të bëhet përforcimi i parë i madh i United në merkaton e janarit.
