Shkup, 7 qershor – Në Muzeun e Artit Bashkëkohor – Shkup, sonte do të hapet ekspozita e pavarur “Linja që zbehet: Tregime në prag të legalitetit” nga Alban Muja. Kurator i ekspozitës është Vladimir Jançevski.
Alban Muja (1980, Republika e Kosovës) krijon video instalime, filma, vizatime, piktura, fotografi dhe vepra publike të artit të ndikuar nga proceset e vazhdueshme të transformimit social, politik dhe ekonomik në vendlindjen e tij në Kosovë dhe në Ballkan. Përmes praktikës së tij ai bën hulumtimin e historisë dhe temave socio-politike, duke i lidhur me pozitën e tij aktuale në Kosovë.
Ekspozita e Mujës në MAB-Shkup paraqet një përzgjedhje të veprave të tij nga viti 2016 deri në vitin 2023. E konceptuar si përpjekje për të ndërlidhje të veprave plotësuese, të cilat paraqesin dhe vëzhgojnë në mënyrë kritike gjendjen e përbashkët dhe shqetësimet tona të përbashkëta përtej kufijve, ekspozita fokusohet në jetën e përditshme dhe në përvojën e një situate tranzicioni të detyruar dhe pasigurisë së zgjatur.
“Praktika artistike e Alban Mujës eksploron aspekte të ndryshme të strukturave që përcaktojnë çështjet kombëtare, ideologjike, identitare dhe ekzistenciale, të cilat nuk janë aq të dukshme. Veprat e tij shkojnë përtej përfaqësimit dhe tregimit të thjeshtë, duke u fokusuar gjithashtu në rolin që luajnë imazhet dhe media në ndërtimin dhe formësimin e narrativave dominuese, qëndrimeve ndaj identitetit dhe historisë. Disa nga projektet e Mujës janë fokusuar në ndërtesa atipike, si shtëpitë modeste familjare, të cilat ngrihen në mënyrë të pakontrolluar mbi çatitë. Duke u thelluar në analizimin e këtij peizazhi jokonvencional të qytetit dhe stagnimit urban dhe kontureve në zhvillim, Muja krijon një hartë të qytetit, e cila njëkohësisht dëshmon për dështimin e sistemit, si dhe për qasjen individuale “kreative” ndaj problemit”, thuhet në njoftimin e ekspozitës.
Kuratori Jançevski tha se Muja pasqyron dhe komenton shoqërinë bashkëkohore dhe vështirësitë e saj në një kontekst shumë specifik gjeopolitik.
“Duke përdorur një qëndrim kritik të kombinuar me ironi dhe zgjuarsi, veprat e tij artistike trajtojnë hidhërimin e sistemit gjeopolitik, social dhe artistik. Duke nënkuptuar një pamje dhe një grup marrëdhëniesh strukturore, gjeografike dhe territoriale, artisti tërheq vëmendjen te popujt e këtij rajoni – brenda dhe në komunitetet e tyre jashtë vendit, të rrënjosura tradicionalisht në punën e ndërtimit, fenomenin e punës së emigrantëve dhe problemin e të qenit të privuar nga mjetet sociale, siguria ekonomike dhe juridike”, tha Jançevski.
Muja ka shfaqur vepra dhe ide në ekspozita të ndryshme individuale dhe grupore, duke përfshirë festivalet e filmit dhe Pavijonin e Republikës së Kosovës në Bienalen e 58-të të Venecias. Në Pavijon, ai prezantoi një video-instalacion me tre kanale të quajtur “Albumi familjar” që thellohet në kujtimet personale dhe kolektive të Luftës së Kosovës (1998-1999) dhe vë në pikëpyetje rolin që luajnë imazhet dhe mediat në ndërtimin dhe formësimin e narrativës, identitetit dhe historia në kohë konflikti.
Alban Muja është i njohur për publikun e Maqedonisë së Veriut, sepse në dekadën e fundit ai ka marrë pjesë në disa ekspozita të rëndësishme, përfshirë ekspozitën e tij të parë personale “Emërtim” në vitin 2014, e kuruar nga Vladimir Jançevski (SIA – Agjencia për interesa serioze, Shkup), si dhe ekspozitën ndërkombëtare në grup “Gjithçka që kemi të përbashkët” në vitin 2018, e kuruar nga Jovanka Popova dhe Mira Gaqina (MAB – Shkup).
Ekspozita do të jetë e hapur deri më 28 gusht të vitit 2024.