Kumanovë, 16 korrik – Punimet rreth rikonstruimit të tërësishëm të objektit të Teatrit të Kumanovës, kanë filluar qysh nga viti 2021, rikonstruim ky që pritej të përfundojë gjatë vitit 2024. Mirëpo në mungesë të mjeteve këto punime pritet të zgjasin për së paku edhe 3 vite të tjera. Një shtyrje e këtillë edhe më tepër po i rëndon aktivitetet e aktorëve të trupës artistike të Teatrit shqiptar të Kumanovës, në kryerjen e veprimtarisë së tyre artistike, pasi që të njëjtit, provat dhe ushtrimet për premierat e shfaqjeve tashmë po i kryejnë në Qendrën për Kulturë në Kumanovë.
“Problemi i objektit është problem i madh, kuptohet pasi që teatri është duke u rinovuar, thuhet se edhe për tre vite nuk do të jetë gati. Ne jemi këtu në Shtëpinë e Kulturës, problemet me hapësirat janë evidente, sepse këtu kryhen manifestime të ndryshme, tubime partiake e aktivitete të ndryshme. Përpos këtyre aktiviteteve, këtu kryen aktivitete edhe teatri maqedonas me shfaqjet e tyre, sikurse edhe ne me shfaqjet tona, por që me menaxhimin tonë në bashkëpunim me drejtorin e Qendrës për Kulturë e bëjmë orarin me qëllim të kryerjes së aktiviteteve që nuk është e lehtë. Kemi edhe disa salla më të vogla nga ku i fillojmë provat në tavolinë, mandej vazhdojmë këtu dhe shfaqim premierën në sallën e madhe.”, – deklaroi Mendim Murtezi nga Teatri Shqiptar – Kumanovë.
“Kemi punuar shumë më herët në këto ambiente e që nuk është ambient teatri, por është një kongres sallë për manifestime të tjera, mirëpo po mundohemi t’i adaptojmë shfaqet në këto kushte. Salla e thithë zërin dhe dëgjohet eho e vogël e që krijon vështirësi për dëgjim, prandaj ne do t’i bëjmë disa intervenime, me qëllim që t’u ikim këtyre pengesave.”, – theksoi regjisori, Nehat Memeti.
“Është mësuar publiku që shfaqjet të jepen në teatër, por që në tre vitet e fundit kjo shfaqje është reale në këto hapësira. Për ne si aktorë është më e vështirë të realizohet, pasi që skena nuk është e teatrit, por është një hapësirë shumë më e madhe nga ajo që ne jemi mësuar.”, – u shpreh aktori, Sefedin Shabani.
Ndryshe Teatri Shqiptar i Kumanovës po kryen me sukses provat për dramën “Letra” të autorit gjerman Tankred Dorst e në regji të Nehat Memetit. Premiera e dramës pritet të shfaqet së shpejti në Pallatin e Kulturës në qytetin e Kumanovës.