Zyra Kombëtare e Auditimit u ka bërë thirrje zyrtarëve përgjegjës që të kenë vëmendje më të theksuar në menaxhimin e pronave publike për të cilat auditori ka vënë në pah parregullsi, si në procesin e shitjeve dhe në dhënien me qira.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca ka theksuar se ky institucion ka gjetur gabime në raportin vjetor të Qeverisë për vitin 2023. Siç tha ajo, arsyeja që ka ndikuar në modifikim të opinionit është se vlera e gabimeve në disa komponentë të Pasqyrave Vjetore Financiare për vitin 2023 ishte materiale, raporton KP.
Derisa ka shtuar se klasifikimi i gabuar i shpenzimeve ka ndodhur si rezultat i pagesave të bëra me vendime gjyqësore në vlerë prej mbi 11 milionë eurove, buxhetimit jo adekuat prej afër 9 milionë euro dhe të ndikuara nga vetë organizatat buxhetore mbi 5.3 milionë euro.
Ndërsa, ka bërë të ditur se një numër kontratash për projekte kapitale janë nënshkruar në mungesë të fondeve, por edhe pa u miratuar këto fonde me ligj, në veçanti në nivelin lokal.
“Një numër kontratash për projekte kapitale janë nënshkruar në mungesë të fondeve, por edhe pa u miratuar këto fonde me ligj, në veçanti në nivelin lokal. Kjo e kërcënon buxhetin e shtetit me kosto shtesë të pa planifikuara, ndërsa mungesa e kontrolleve në këto projekte mund të rezultojë edhe në keq menaxhim të tyre”, tha Spanca.
Ajo ka shtuar se ka nevojë të përmirësohet procesi i menaxhimit të listës së pritjes së pacientëve në sistemin shëndetësor.
Gjithashtu ka theksuar se departamenti Juridik dhe Kundër Mashtrimit ka arritur të analizojë 60 raporte të publikuara të auditimit për të identifikuar raste me elemente të mundshme të dyshimeve për kryerjen e veprave penale (mashtrim dhe korrupsion).
Ndërsa, nga analizimi i këtyre raporteve, ka thënë se janë evidentuar 52 raste të dyshimit, të cilat i ka dërguar te Prokurori i Shtetit për trajtim të mëtutjeshëm.
Mes tjerash, Spanca ka nënvizuar se për 11 raporte të auditimit të performancës, dje kanë dërguar në Kuvend edhe tek institucionet e audituara, tri raporte të auditimit të performancës, ndërsa ka treguar se cilat janë këto tri auditime.
“Menaxhimi i pronave/tokave bujqësore të Institutit Bujqësor të Kosovës, listat e pritjes në institucionet shëndetësore publike dhe menaxhimi i parkingjeve publike në qytetin e Prishtinës nga Ndërmarrja Publike Lokale Prishtina Parking …Së pari, për mënyrën se si janë menaxhuar pronat/tokat bujqësore të Institutit Bujqësor të Kosovës. Janë mbi 309 hektar tokë bujqësore të Institutit që nuk menaxhohen në mënyrën e duhur. Prej tyre mbi 52 hektarë shfrytëzohen në mënyrë të pa autorizuar dhe rreth 31 hektar të tjera janë tjetërsuar pa njohurinë/pëlqimin e institutit dhe në rrethana të pa qarta.
Instituti për nevojat hulumtuese shfrytëzon vetëm rreth 5 hektarë, ndërsa rreth 260 hektarë i ka destinuar për dhënie me qira. Këto prona, janë pasuri e shtetit dhe fakti që ndër të tjera 31 hektarë janë tjetërsuar në rrethana të paqarta është mjaft shqetësues”, tha ajo.
Ky raport përfshin opinionin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2023 dhe përmbledhjen e rezultateve kryesore të punës audituese për sezonin auditues 2023/2024.
Me finalizimin e këtyre raporteve, Zyra Kombëtare e Auditimit ka arritur që të përmbush planin vjetor për sezonin auditues 2023/2024, duke kryer gjithsej 126 auditime. Prej tyre, 86 auditime financiare dhe të pajtueshmërisë për organizatat buxhetore, 12 auditime të ndërmarrjeve publike, 14 auditime të performancës, nëntë auditime të projekteve të Bankës Botërore, si dhe pesë auditime të pajtueshmërisë.
Në këto raporte janë identifikuar gjithsej 817 gjetje për të cilat ka dhënë rekomandime. /kp/
