Presidenti i Kinës Xi Jinping zhvilloi bisedime të martën pasdite në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin me homologun e tij të Finlandës Alexander Stubb, i cili ndodhet për një vizitë shtetërore në Kinë.
Xi Jinping theksoi se Finlanda ishte një nga vendet e para perëndimore që vendosi marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Kinës dhe gjithashtu vendi i parë perëndimor që nënshkroi një marrëveshje tregtare ndërqeveritare me të.
Që prej vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, Kina dhe Finlanda kanë trajtuar gjithmonë njëra-tjetrën në mënyrë miqësore, me respekt dhe besim të ndërsjellë, duke dhënë shembullin e shkëmbimeve të barabarta midis vendeve që kapërcejnë dallimet historike, kulturore dhe institucionale.
Xi Jinping theksoi se si Kina, ashtu edhe Finlanda e duan paqen dhe mbrojnë multilateralizmin dhe tregtinë e lirë. Kina është e gatshme të forcojë komunikimin dhe bashkëpunimin me Finlandën për çështje të tilla si ndryshimet klimatike, ruajtja e biodiversitetit, zhvillimi i qëndrueshëm global dhe qeverisja e IA. Të punojmë së bashku për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në botë, si edhe për të nxitur një globalizim ekonomik të barabartë, të rregullt, shumëpolar dhe gjithpërfshirës.
Nga ana e tij, Presidenti Stubb u shpreh: Jam shumë i kënaqur të vizitoj Kinën fill pas marrjes së detyrës si president dhe të takohem sërish me Presidentin Xi Jinping pas 14 vjetësh. Situata botërore ka ndryshuar shumë që atëherë. Kina ka bërë arritje zhvillimi të mahnitshme.
Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike 74 vjet më parë, Finlanda dhe Kina gjithmonë e kanë respektuar njëra-tjetrën, e kanë trajtuar njëra-tjetrën me sinqeritet dhe janë angazhuar në dialog në baza të barabarta. Finlanda i përmbahet parimit të Një Kine. Ajo është e gatshme të punojë me Kinën për të festuar 75 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike vitin e ardhshëm, për të forcuar shkëmbimet e nivelit të lartë, për të zgjeruar shkëmbimet njerëzore e kulturore dhe për të thelluar bashkëpunimin pragmatik në fushat e ekonomisë, tregtisë, energjisë së gjelbër dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Ekonomitë e BE-së dhe Kinës janë të lidhura ngushtë. “Shkëputja dhe thyerja e zinxhirëve” dhe një “Luftë e re e Ftohtë” nuk përputhen me interesat e asnjë pale. Finlanda është e gatshme të luajë një rol pozitiv në nxitjen e zhvillimit normal të marrëdhënieve BE-Kinë.
Të dy palët shkëmbyen thellësisht pikëpamjet edhe mbi krizën e Ukrainës dhe konfliktin palestinezo-izraelit. Xi Jinping shtjelloi qëndrimin parimor të Kinës dhe shprehu gatishmërinë e tij për të punuar me të gjitha palët përkatëse, përfshirë Finlandën, për të vazhduar të luajë një rol pozitiv në nxitjen e zgjidhjes paqësore të krizës.
