Doli nga botimi Libri “Siguria dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare” me bashkautor Kolonel (R) Dr. Ahmet Leka dhe Dr. Glevin Dervishi.
Ky tekst vjen si një ndërthurje e dy disiplinave akademike përplotësuese si marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikat e sigurisë. Në të trajtohen gjerësisht tematika që i vijnë në ndihmë studiuesve të rinj duke paraqitur raste konkrete të hasura në veprimtarinë ushtarake dhe diplomatike të shtetit shqiptar, që prekin zhvillime kryesisht pas Luftës së Ftohtë.
Në fushën e sigurisë teksti ndalet gjerësisht në Dimensionet e Sigurisë, Siguria në Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Koncepti mbi Luftën dhe teoritë rreth saj, Mekanizmat dhe Instrumentet e Sigurisë Kolektive, Mjedisi i Sigurisë në Ballkan, Sfidat dhe Implikimet për Shqipërinë.
Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare teksti trajton një sërë tematikash si: Disiplina e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Politika e Jashtme e Shtetit Shqiptar pas Luftës së Ftohtë, Deti si hapësirë e projektimit të fuqisë kombëtare, Shpërbërja e Jugosllavisë dhe trashëgimia e saj në Ballkanin Perëndimor.
Ky tekst u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Akademisë së Forcave të Armatosura.