Poezi nga: Richard Crashaw
Përktheu: Alfred Kola
Për këta që i martoi serish një vdekje
Ky varr është shtrat i dytë martese
Ndonëse dora e Fatit mund të mëtonte
Shpirtin me trupin të mund t’i veçonte
Për burrin dhe gruan veçim s’mund të ketë
Se ata jetuan së toku një jetë.
Paqe, lexues e mos u përlot shumë
Paqe, dashnorët janë tani në gjumë
Prehen shpalosur trupat, ëmbëlsia
Në nyjën e fundit që lidh dashuria.
Le të flenë ata, le të flenë gjatë,
Derisa të largohet stuhia këtë natë
Dhe agu i përjetshëm ndrin në agim
Ngre perdet e rënda e sjell ndriçim
Dhe ata në dritë do zgjohen prapë
Në ditën që s’ngryset kurrë në natë.