Shkup, 7 nëntor – Ende nuk dihet kush do ta zëvendësojë Izet Mexhitin në Qeveri pas marrjes së detyrës si kryetar i Çairit. Edhe pse në opinion është përmendur Bekim Sali si kandidat për zëvendëskryeministër të parë, kryeministri Hristijan Mickoski nuk e konfirmon këtë, duke theksuar se nuk ka marrëveshje me koalicionin VLEN për ndryshime kadrovike.
“Sa i përket lëvizjeve strukturore në Qeveri, ne biseda të tilla nuk kemi bërë, në këtë moment jam i gatshëm të bisedoj për gjithçka, por se diçka është rënë dakord me VMRO-DPMNE-në si parti më e madhe në Maqedoni, në Parlament dhe Qeveri, diçka e tillë nuk është dakordësuar, por për Bekim Salin kam mendim të mirë.”, – deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Ndërkohë, Qeveria pritet që javën e ardhshme të propozojë emrat e personave që do të ushtrojnë përkohësisht funksionin e kryetarit të komunave Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë.
“Njëherë duhet që zyrtartisht KShZ-ja t’i përfundojë zgjedhjet, pastaj ta informojë Qeverinë. Kjo besoj se do të ndodhë javën e ardhshme. Pastaj, Qeveria ka afat prej 15 ditëve të veprojë në bazë të asaj dhe më pas ta informojë KShZ-në dhe Parlamentin, që Parlamenti në afat prej 60 ditëve të mbajë zgjedhje të reja në ato komuna ku zgjedhjet ishin të pasuksesshme. Kështu që unë pres që javën e ardhshme të ulemi me partnerët e koalicionit të ulemi të propozojmë emrat që do të jetë ushtrues detyre në ato komuna ku zgjedhjet nuk kishin sukses.”, – theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Përndryshe, Komisioni Shtetëror Zgjedhor i ka hedhur poshtë si të pabazuara të gjitha 16 ankesat për procedurat e votimit dhe përmbledhjen e rezultateve të votimit në zgjedhjet lokale në tre komuna, Bërvenicë, Shuto Orizarë dhe Karposh.
