Gjykata Komerciale e Kosovës, Dhomat e Shkallës së Parë, ka marrë vendim për të pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) që parashihte daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Lajmi u bë i ditur të mërkurën nga avokatja Blinera Osmani, përmes një postimi në Facebook, duke theksuar se më 29 korrik 2025, gjykata ka nxjerrë Aktgjykimin KA.nr.301/25, i cili ka pasoja të drejtpërdrejta dhe të menjëhershme për tregun energjetik.
Sipas Osmanit, vendimi i gjykatës:
Anulon pikën IV të vendimit të ZRrE-së nr.275/24, të datës 5 prill 2024;
Anulon tërësisht njoftimin e ZRrE-së të datës 12 mars 2025 për daljen në tregun e lirë, duke e konsideruar atë të kundërligjshëm;
Pezullon zbatimin e të gjitha këtyre vendimeve deri në një vendim përfundimtar gjyqësor.
Sipas saj, kjo do të thotë se të gjithë konsumatorët biznesorë të prekur nga ky vendim duhet të rikthehen menjëherë në tregun universal, ku garantohen furnizim i sigurt dhe tarifa të rregulluara, siç ishin përpara 1 qershorit 2025, kur kishte hyrë në fuqi kalimi në treg të lirë.
“Vendimi është i zbatueshëm menjëherë dhe prodhon efekt të drejtpërdrejtë juridik”, ka shkruar Osmani.
Ndërkaq, pas këtij njoftimi nga avokatja Osmani ka reaguar Zyra e Rregullatorit të Energjisë.
Nga ZRRE kanë thënë për KosovaPressit-in se ky vendim është për një rast individual (biznes), nuk është i përgjithshëm.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) rithekson se procesi i hapjes së tregut të energjisë elektrike është në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, në mënyrë transparente dhe të paanshme, duke respektuar të gjitha standardet procedurale dhe materiale.
Madje, sipas ZRRE-së, nga 31 korriku pasojnë ndërprerjet pasi furnizimi i garantuar përmes FMF nuk do të jetë më i vlefshëm ligjërisht.