​Abdixhiku: Kushtetuesja duhet t’i merr të drejtën LVV-së për të propozuar kandidatin për kryeparlamentar

nga D. V.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Lëvizjes Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit duhet t’i merret e drejta për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, pas dështimit për herë të 51-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Abdixhiku pasi u ndërpre seanca e sotme, tha se i takon Gjykatës Kushtetuese të vendosë se çka tutje, pas kërkesës së re të drejtuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila mes tjerash ka kërkuar vendosje të masës së përkohshme të rrjedhjes së afatit 30-ditor për konstituim të Kuvendit, i cili skadon me 26 korrik.

“Meqenëse kemi një rrjedhje të afatit dhe konsiderojmë se ka paqartësi nuk e shohim si të dëmshme apo të pavend. Nuk është thelbi i lëndës masa, por çka ndodh pas tridhjetë ditëve. S’kemi qartësi se çka ndodh tutje, përveç faktit që kushtetuesja ka thënë se moskonstituimi nuk shkakton zgjedhje të reja… Gjykata Kushtetuese është e qartë dhe thotë se e drejta për propozim i takon të parit dhe përgjegjësia për formimin e shumicës i takon të parit. Nëse i pari nuk dëshiron të shfrytëzojë këtë të drejtë atëherë do të ishte e logjikshme dhe si përfundim se kjo e drejtë t’i merret dhe t’i kalojë atij që mund të bëjë. Kjo është një interpretim i një gjendje dhe ngërçi që na ka sjell në këto rrethana”, tha ai.

Sipas tij, institucionet e Kosovës bëhen vetëm me marrëveshje politike, gjë të cilën sipas tij, nuk po e dëshiron Lëvizja Vetëvendosje.

“Institucionet e Kosovës bëhen me marrëveshje politike. I pari s’ka dashur marrëveshje politike, ai ka vendosur një proces votimi antikushtetues dhe i ka shpenzuar edhe tridhjetë ditë dhe i takon kushtetueses se çka tutje. Meqenëse i pari s’dëshiron t’i bëjë institucionet t’i merret e drejta pasi nuk mundemi të presim vazhdimisht”, theksoi Abdixhiku.

Kujtojmë që seanca e sotme konstituive u ndëpre për shkak të debatit mes kryesuesit të seancës, Avni Dehari me deputeten e PDK-së, Ganimete Musliu e cila pasi iu ndalua mikrofoni u drejtua drejt Deharit për të marrur fjalën përmes mikrofonit të tij.

Pas këtij veprimi Dehari thirri për ndërprerje të seancës teksa deputetët e LVV-së braktisën sallën plenare, kurse deputetët e LDK-së, PDK-së dhe AAK-së vazhduan qëndrimin ku adresuan deklarimet e tyre për situatën e krijuar në legjislativ./kp/

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More