Shkup, 7 nëntor – Sot u mbajt seanca konstituive e Këshillit të Qytetit të Shkupit, gjatë së cilës u verifikuan mandatet e këshilltarëve dhe u zgjodh kryetari i ri i Këshillit.
Në këtë seancë, Abdulselam Selami, këshilltar nga koalicioni AKI, u zgjodh koordinator i grupit të këshilltarëve të këtij koalicioni në Këshillin e Qytetit.
Në fjalën e tij para këshilltarëve, Selami theksoi se prioritet i punës së grupit do të jetë përfaqësimi i barabartë i të gjithë qytetarëve të Shkupit, duke përkrahur projekte që sjellin përmirësim të jetës në çdo lagje të qytetit, pa dallime dhe pa favorizime.
“Ashtu siç jemi zotuar para qytetarëve për një Shkup të barabartë dhe pa dallime, do të vazhdojmë të përkrahim çdo projekt që është në të mirë të qytetarëve, pa e ndarë Shkupin në lagje ku do të investohet dhe lagje të harruara. Zoti na ndihmoft! Dalshim faqebardhë!”, deklaroi Selami.
Zgjedhja e Abdulselam Selamit si koordinator i grupit të këshilltarëve të koalicionit AKI shënon një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimit konstruktiv brenda Këshillit të Qytetit dhe përkushtimit ndaj zhvillimit të barabartë të Shkupit.
