Adoleshenti gjigant që po mahnit botën, 2.29 metra në moshën 14-vjeçare

nga L. M

Kanadezi Jeremy Gohier po bëhet një nga emrat më të përfolur në basketbollin botëror. Në moshën 14-vjeçare, ai ka arritur një gjatësi trupore prej 2.29 metrash, duke qenë vetëm dy centimetra më i shkurtër se rekordmenët historikë të NBA-së, Manute Bol dhe Gheorghe Muresan, të cilët arrinin 2.31 metra.

Një vit më parë, Gohier u bë i njohur nga disa video ku shihej duke luajtur me bashkëmoshatarë shumë më të shkurtër. Të gjithë ishin 13 vjeç, por ndërsa ata mezi i arrinin në shpatulla, Jeremy tashmë ishte 2.21 metra i gjatë. Këtë verë, ai mori pjesë në Americup U-16 me përfaqësuesen kanadeze, edhe pse ishte dy vjet më i vogël se pjesa tjetër e skuadrës.

Prindërit e tij e kuptuan herët se djali i tyre ishte ndryshe. Në moshën dyvjeçare, ai ishte 1.20 metra, ndërsa në moshën nëntëvjeçare kishte arritur 1.70 metra. Mësuesja u tregonte prindërve se Jeremy luante “në gjunjë” me shokët për të qenë në të njëjtin nivel me ta.

Mjekët kanë përjashtuar mundësinë e sindromës së gjigantizmit, por arsyet e rritjes së pazakontë mbeten të paqarta. Gjenetika duket të jetë faktor, megjithëse prindërit e tij janë me gjatësi normale: 1.83 m babai dhe 1.70 m nëna. Disa të afërm, megjithatë, kanë arritur mbi 2 metra.

Edhe pse ndonjëherë ndien se të gjithë e shikojnë, Jeremy e pranon me sportivitet përmasën e tij. “Sa herë që eci diku, të gjithë më vështrojnë. Ndonjëherë do të doja të isha 1.50, të zhdukesha nga vëmendja, por më pëlqen të jem si jam dhe të luaj basketboll,” thotë ai.

Ai luan për Nobel Elite në Kanada dhe për ekipet kombëtare të moshave. Në Americup U-16, përballë kundërshtarëve dy vjet më të mëdhenj, regjistroi mesatarisht 2.5 pikë, 4.3 kërcime dhe 0.5 bllokime për ndeshje në vetëm 10 minuta lojë. Trajneri i tij, Daniel Mulumba, e përshkruan si “shumë punëtor dhe jashtëzakonisht konkurrues”.

Kanadaja duket se po bëhet vendi i “gjigantëve” të basketbollit. Përveç Gohier, atje luajnë edhe Zach Edey (2.24 m) dhe Olivier Rioux (2.33 m), adoleshenti më i gjatë në botë. Nëse Gohier vazhdon me këtë ritëm, e ardhmja e tij në NBA duket e pashmangshme dhe Kanada mund të ketë një “mur njerëzor” për brezat që vijnë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More