Shkup, 13 tetor – Lideri i BDI-së Ali Ahmeti, duke iu drejtuar kundërshtarëve politikë në Saraj theksoi se me BDI-në në pushtet vendi ka bërë marrëveshje ndërkombëtare.
“Ne kemi bërë fushata shumë të fuqishme. Merreshim me marrëveshje ndërkombëtare, ndërsa disa të tjerë sot merren me kanalizime dhe asfaltime. O djem, aman! Ju jeni analistë, publicistë, gazetarë – Jugosllavia nuk u prish për kanalizime e asfalt, por sepse shkeli të drejtat e shqiptarëve,” deklaroi Ahmeti para një turme entuziaste, njofton TS.
Ai u kujtoi qytetarëve historinë e lëvizjes kombëtare dhe sakrificat që janë bërë për të drejtat themelore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut:
“Unë jam nga ata që dolën nga lëvizja studentore. Ne nuk u ngritëm për kanalizime e asfalt. Ne u ngritëm për republikë, për shtet, për drejtësi, për universitet në gjuhën shqipe në Shkup, dhe sot ato janë të realizuara,” theksoi ai.
Por sipas Ahmetit, sfida nuk përfundon me realizimin e këtyre të drejtave, por me mbrojtjen e tyre.
“Tani është koha që ato të drejta të mbrohen nga njerëz që kanë dinjitet dhe legjitimitet. Më vjen keq për disa prej tanëve që janë aty, e para, nuk e kanë legjitimitetin. E dyta, më falni, por shkuan sepse i thirri Agaj!”