Një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka përsëritur thirrjen për partitë dhe subjektet politike për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve gjatë zgjedhjeve.
Për të siguruar integritetin zgjedhor, respektimin e privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës, kjo agjenci ka disa kërkesa për partitë:
Sigurojnë që çdo përpunim i të dhënave personale të kryhet mbi bazën ligjore të përpunimit, si- pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim i subjektit politik apo arsye të tjera të përcaktuara me ligj;
Mos përdoren të dhënat kontaktuese të qytetarëve të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike apo në forma të tjera për qëllime të marketingut politik;
Mos ekspozojnë të dhënat personale gjatë komunikimit përmes postës elektronike (e-mail), mesazheve (SMS) apo thirrjeve telefonike, pa pëlqim paraprak;
Respektojnë të drejtën e qytetarëve për të kundërshtuar në çdo kohë përdorimin e të dhënave të tyre për marketing të drejtpërdrejt dhe të ndërpresin menjëherë komunikimin pas paraqitjes së kundërshtimit;
Shmangin çdo formë të profilizimit apo përpunimit masiv të dhënave të ndjeshme, përveç rasteve kur ekziston bazë e qartë ligjore dhe janë ndërmarrë masa mbrojtëse përkatëse, përfshirë vlerësimin paraprak të ndikimit mbi të dhënat personale kur është e nevojshme;
Sigurojnë transparencë të plotë ndaj qytetarëve për mënyrën e përpunimit të të dhënave, duke publikuar politika te qarta të privatësisë në mënyrë të thjeshtë dhe të qasshme.