Shkup, 21 gusht – Kryeministri Hristian Mickoski ka reaguar ndaj akuzave kundër anëtares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Tatjana Dimitrieska, si dhe ndaj interpelancave për anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe prokurorit shtetëror, duke paralajmëruar se këto raste do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë mbi raportet ndërkombëtare të vendit.
Në pyetjen e gazetarëve nëse këto raste do të pasqyrohen në besimin në KSHPK, si dhe raportet ndërkombëtare për sistemin gjyqësor, kryeministri u përgjigj se është i domosdoshëm veprim i fuqishëm që të vërtetohet përgjegjësia.
“Pres që të pasqyrohet, nuk po them që nuk e pres. Këto janë gjëra për të cilat ne si qeveri kemi paralajmëruar për 14 muaj – si në aspektin e punës së njësisë antikorrupsion ashtu edhe në aspektin e punës së Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorisë Publike. Por kur reagojmë, atëherë e gjejmë veten përsëri në raporte se po ushtrojmë presion politik. Tani do të gjendemi në raporte se ato pozicione janë të paplotësuara ose nuk po e bëjnë punën e tyre. Pra, mendoj se me gjithë rrezikun politik pas zgjedhjeve lokale, duhet të ndërmerret një veprim serioz i fuqishëm dhe të gjithë ata që e çuan gjyqësorin dhe prokurorinë në një nivel prej 2 për qind duhet të largohen dhe nëse përcaktohet përgjegjësia – ata duhet të përgjigjen”, tha kryeministri në një deklaratë pas inspektimit të aktiviteteve të ndërtimit të një kopshti të ri në Draçevë.
Mickoski theksoi se sundimi i ligjit nuk mund të arrihet përmes pasivitetit, por përmes ndërhyrjes aktive në sistem.
“Nëse rri mënjanë, atëherë nuk ka sundim të ligjit, nëse përfshihesh në proces, atëherë po bën presion – nuk mund ta hamendësosh. Pra, është më mirë të sqarojmë njëherë e mirë këto instalime brenda sistemit tonë gjyqësor dhe prokurorial dhe të zgjedhim njerëz që janë cilësorë, kompetentë dhe le të shpresojmë se do të jenë mbrojtës të ligjit dhe drejtësisë”, shtoi kryeministri.
Lidhur me procedurën për shkarkimin e prokurorit republikan Lupço Kocevski, kryeministri theksoi se qëndrimi i qeverisë mbetet i pandryshuar.
“Ne nuk i ndryshojmë qëndrimet brenda natës, nëse nga ana tjetër nuk ka ndonjë argument objektiv dhe të rëndësishëm, që do të na sillnin deri në situatë që ta shqyrtojmë mendimin tonë. Qëndrimi im nga vetë fillimi deri më sot është i njejtë”, tha ai.
