Anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi, ka reaguar pas mbledhjes së sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke akuzuar koalicionin PLD–AKS–Srpska se janë bashkuar për të pamundësuar votimin e mërgatës përmes postës.
“Sot, koalicioni PLDAKSrpska në KQZ i bashkuan votat për të tentuar ta pamundësojnë votimin e mërgatës përmes postës,” ka shkruar Krasniqi.
Ai rikujtoi se në balotazhin e 9 nëntorit, mbi 60 për qind e votuesve të mërgatës të regjistruar nuk kanë mundur të votojnë, pasi “zarfet u kanë shkuar me vonesë, disave po u arrijnë edhe tash derisa zgjedhjet kanë përfunduar ka dy javë.”
Sipas tij, përfaqësuesit e koalicionit në KQZ po e shfrytëzojnë këtë situatë për të bllokuar procesin edhe në zgjedhjet e parakohshme.
“Të trimëruar nga ky dështim, ata janë mobilizuar ta pamundësojnë votimin përmes postës duke refuzuar t’u dërgojmë mërgatës fletëvotimet me kode të enkriptuara përmes emailit me datë 12 dhjetor,” u shpreh ai.
Krasniqi shtoi se nga komunikimet e sekretariatit të KQZ-së me shërbimet postare, është vërtetuar se dërgesat nga Kosova nuk mund të arrijnë me kohë.
“Shumica e zarfeve nuk mund të arrijnë në Kosovë para datës 5 janar,” tha ai, duke e quajtur këtë “të parealizueshme”.
Ai theksoi se “po e bllokojnë mërgatën në ushtrimin e të drejtës së tyre kushtetuese dhe këtë po e bëjnë në koordinim me Listën Serbe”.
Megjithatë, Krasniqi u bëri thirrje qytetarëve të mërgatës që të vijnë në Kosovë për të votuar.
“Ata nuk mund ta ndalin mërgatën që të votojë në Kosovë. Andaj, ardhja masive dhe votimi në atdheun tuaj me 28 dhjetor është përgjigja që duhet dhënë boshtit të së keqes në Republikën tonë,” shtoi ai.
