Ali Ahmeti nga Zhelina: Aleanca Kombëtare nuk ndalet, ky është mobilizim për dinjitetin shqiptar!

nga Redaksia

Zhelinë, 11 tetor – Gjatë tubimit të madh elektoral që u mbajt sonte në Zhelinë nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) në mbështetje të kandidatit për kryetar komune, Emir Sulejmani, një ndër fjalimet më të forta dhe më të thella politike u mbajt nga Ali Ahmeti, njëri ndër figurat qendrore të skenës politike shqiptare.

Në fjalën e tij, Ahmeti foli hapur për sfidat aktuale politike dhe zhvillimet e fundit në vend, duke theksuar se krijimi i Aleancës Kombëtare është përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj përpjekjeve për të shtyrë prapa interesat shqiptare.

“Ka pasur përpjekje dhe bisedime të shumta për të kuptuar realitetin e ri që po vjen në mënyrë të fshehtë dhe nga prapaskenat. Dhe ne kemi bashkëpunuar me disa parti shqiptare për të ndërtuar frontin evropian. Por këtu nuk ndalemi, vazhdojmë më tej, të gjithë bashkërisht, për ta bërë Aleancën Kombëtare më të fortë dhe më të organizuar,” deklaroi Ahmeti.

Ai shtoi se ky organizim nuk është thjesht strategji elektorale, por thirrje për mobilizim kombëtar, për të ruajtur dinjitetin dhe për të mbrojtur të arriturat historike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Marrëveshja e Ohrit nuk është dhuratë e asnjë politikani maqedonas, ajo është rezultat i gjakut, i përkushtimit dhe i sakrificës. Atyre që u pëlqen apo jo, kjo aleancë është realitet, dhe është e vetmja rrugë përpara për shqiptarët,” theksoi ndër të tjera Ahmeti.

Tubimi në Zhelinë shënoi një moment të rëndësishëm për fushatën e AKI-së dhe për konsolidimin e mbështetjes ndaj kandidatit Emir Sulejmani, i cili po shihet si përfaqësues i brezit të ri të politikanëve shqiptarë me vizion të qartë për zhvillim dhe dinjitet kombëtar.

Kandidati për kryetar të Komunës së Zhelinës nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), Emir Sulejmani, ka dhënë një deklaratë të fuqishme emocionale gjatë tubimit sonte në Zhelinë.

“Anëtarët dhe simpatizantët e mi ma premtuan se unë do ta shoh sonte fitoren e madhe. Dhe prej tash, unë e besoj këtë, fitorja është e jona më 19 tetor!”, deklaroi ai para të pranishmëve.

Ndërsa shefi i shtabit të degës së Zhelinës, Abdylaziz Azizi, u shpreh se fitorja për Emir Sulejmanin tashmë është e sigurt.

“Nga sonte mund ta shpallim fitoren për Emir Sulejmanin. Populli e ka folur fjalën e vet, Zhelina ka vendosur për ndryshim!”, u shpreh Azizi me plot bindje, duke ndezur entuziazmin e të pranishmëve.

Në tubimin në Zhelinë ka marrë fjalën edhe deputetja e Aleancës, Ilire Dauti.

Duke falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen dhe përkushtimin e tyre ndaj kauzës, Dauti u shpreh: “Si edhe të gjithë ju të tjerët që na keni nderuar sonte me pjesëmarrjen tuaj,mbi të gjitha, jemi mbledhur këtu për të thënë se vota për Emirin është vota për dinjitetin e shqiptarëve.”

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More