Aliu: Po formohet Këshilli Shëndetësor – politikat shëndetësore do të marrin mbështetje profesionale dhe shkencore

nga D. V.

Shkup, 10 shtator – Sot në Ministrinë e Shëndetësisë u mbajt mbledhja konstituive e parë e Këshillit Shëndetësor, ku mori pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Këshilli Shëndetësor, si trup këshillues i ministrit të Shëndetësisë, sipas Ligjit për mbrojtje shëndetësore, përbëhet nga nëntë anëtarë – profesorë të shquar, doktorë shkencash nga sfera të ndryshme, prej të cilëve disa janë edhe ekspertë të njohur ndërkombëtarisht me biografi mbresëlënëse dhe punime shkencore.

“Qëllimi është që Këshilli Shëndetësor të analizojë në mënyrë të vazhdueshme çështjet në fushën e shëndetësisë, të japë kontribut profesional në përgatitjen e projektligjeve dhe akteve nënligjore, si dhe mendime dhe propozime profesionale në fusha të ndryshme që janë pjesë e veprimtarisë së Ministrisë. Diskutimi i sotëm ishte fillestar, për disa aspekte të ndryshme që gjatë periudhës së ardhshme këshilli do t’i analizojë më në detaje. Jam i bindur se do të kemi një bashkëpunim të suksesshëm dhe të frytshëm,”- theksoi ministri Aliu.

Siç kumtoi Ministria e Shëndetësisë, anëtarët e Këshillit Shëndetësor janë: prof. dr. Sashko Kedev, prof. dr. Marija Srceva, prof. dr. Azis Pollozhani, prof. dr. Viktor Kamnar, prof. dr. Svetozar Antoviq, prof. dr. Igor Kaftanxhiev, as. prim. dr. spec. Fadil Cana, spec. dr. Zllate Mehmedoviq dhe doc. dr. Ilir Vela. Kryetare e Këshillit Shëndetësor është zgjedhur prof. dr. Marija Srceva. 

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More