Armend Mehaj për dronët kamikazë: Marrëveshjen e kam nënshkruar sa isha në ministri

nga D. V.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se marrëveshja për dronë kamikazë ishte nënshkruar shtet më shtet në kohën sa ishte në krye të ministrisë. Mehaj teksa ka sqaruar marrëveshjen i është përgjigjur edhe reagimeve të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq duke i thënë se Kosova është shumë më e fortë ushtarakisht sesa paramendohet.

“Shumë mediume më kanë kërkuar sqarime lidhur me dronët kamikaz që tashmë kanë ardhur nga shteti mik turk. Dua ta konfirmoj qartë se: po, gjatë kohës kur isha në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, kam nënshkruar marrëveshjet e parë shtet me shtet, e cila kishte për qëllim furnizimin me kapacitete drona Bayraktar, dronash Puma, dronësh kamikaz dhe shumë armatim tjetër. Kjo marrëveshje nuk është bërë publike menjëherë, ashtu siç kishim rënë në ujdi me partnerin tonë, për arsye konfidencialiteti dhe sigurie operacionale. Tani që dërgesat janë të dukshme për të gjithë, është e rëndësishme të sqaroj një gjë: mënyra se si u arritën marrëveshjet shtet me shtet shpesh është keqkuptuar”, ka shkruar Mehaj.

Ai tutje ka shkruar se “Në atë periudhë, blerjet e armatimeve për ushtrinë dhe policinë shpesh kryheshin përmes kanaleve të ndryshme administrative. Me mbështetjen e Kryeministrit Kurti, si ministër kam vendosur dhe zbatuar një sistem të marrëveshjeve shtet me shtet, në përputhje me praktikat e NATO-s, përmes të cilit na është mundësuar blerja e kapaciteteve strategjike në mënyrë transparente dhe të koordinuar. Këto marrëveshje na japin mundësinë të porosisim pajisje të ndryshme, sipas nevojave profesionale, nëse kemi buxhet dhe një vizion të qartë zhvillimor për ushtrinë tonë”.

Ai teksa i ka bërë thirrje Serbisë që të ndalë retorikën luftënxitëse, ka thënë se ka edhe marrëveshje tjera që do të bëhen të ditura më vonë.

“Ndërsa sa i përket reagimeve të presidentit serb rreth ardhjes në Kosovë të dronëve kamikaz, dua t’i kujtoj Vuçiqit dhe çdo udhëheqësi tjetër serb se Kosova është shumë më e fortë ushtarakisht sesa paramendohet. Andaj, paqja në Ballkan është më se e domosdoshme, dhe kjo arrihet vetëm me respekt dhe bashkëpunim. Me këtë rast, bëjmë thirrje që Serbia ta shmangë retorikën luftënxitëse dhe një herë e përgjithmonë të shkëputet nga politika e ish diktatorit Millosheviç. Ka edhe shumë marrëveshje të tjera që do te përmenden më vonë, dhe ka shumë armatim që as në ëndërr nuk e kemi parë më parë. Këto punë i kam kryer bashkë me ekipin në Ministrinë e Mbrojtjes, jo vetëm.Kosova mbi të gjitha”, ka treguar Mehaj.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More