Sektori Rajonal i Hetimeve-Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme për luftimin e aktiviteteve të paligjshme, ka realizuar me sukses një operacion policor në orët e hershme të mëngjesit të datës 22.03.2025. Si rezultat i këtij aksioni, janë arrestuar 10 persona të dyshuar, të cilët pas intervisitmit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Përmes një njoftimi në ‘Facebook’ Policia e Kosovës bën të ditur se pas pranimit të informatave të besueshme për organizimin e bixhozit të paligjshëm në një objekt banesor në qytetin e Gjakovës, Policia ka ndërmarrë veprime të menjëhershme duke ekzekutuar urdhër-kontrollin në dy lokacione të dyshuara.
“Gjatë këtij operacioni, njësitë policore kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale: 3 aparate të lojërave të fatit (APEX), rreth 6 mijë euro dhe disa qindra të tjera në valuta të ndryshme të vendeve të tjera, “çipa të pokerit” dhe letra bixhozi si dhe 1 pistoletë me një karikator”, thuhet në njoftim.
